Përurohet shkolla me emrin e heroit ‘Klodian Tanushi’ në Qesarakë! Rama: Sakrifikoi jetën për atdheun, shembull frymëzimi për të rinjtë
Një prej shkollave të reja që është hapur këtë vit në Tiranë, i është vendosur emri i ‘Klodian Tanushi’, në nder të ‘Dëshmorit të Atdheut’, majorit që humbi jetën në krye të detyrës në Letoni. Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në përurimin e shkollës në Qesarakë, me kushte dhe hapësira moderne.
Në fjalën e tij, kryeministri Rama tha se ky gjest tregon se sakrifica e majorit do të mbetet në kujtesën kombëtare, ndërsa vlerësoi punën e tij në shërbim të atdheut. Rama u shpreh se shembujt të tillë duhet t’u prezantohen fëmijëve e të rinjve në shkolla si frymëzim për përkushtimin që kanë dhënë ndaj atdheut.
“Më vjen mirë që jam këtu sot, sëbashku me familjen e të ndjerit dëshmorit Klodian Tanushi, me të atin, me zonjën, me fëmijët të cilëve asgjë nuk ua kthen dot njeriun e tyre të zemrës dhe asgjë nuk ua mbush dot boshllëkun e madh të mungesës së pranisë së tij, por së paku me këtë gjest ne u themi se sakrifica sublime e djalit, e bashkëshortit, e babait i përket tanimë kujtesës sonë kombëtare dhe i përket edhe vazhdimësisë së mesazhit të një jete të humbur në shërbim te atdheut, për të gjithë këta vogëlushë të cilët duhet t’i njohim me Klodianin, me faktin që ishte fëmija i një familje shumë të thjeshtë, i prindërve të zakonshëm dhe që e beri diferencën pikërisht duke qenë në lartësinë e detyrës ndaj atdheut.
Mbase është momenti për të reflektuar lidhur me nevojën që në të gjitha shkollat, fëmijët, nxënësit, nxënëset të njihen me jetën e njerëzve që kanë lënë pas jetën e tyre dhe emrin e te cilëve mbajnë shkollat. Janë shembuj që vlejnë shumë për ta ushqyer shoqërinë, për të ushqyer gjenerata të reja me frymëzimin që mbart jeta e tyre. Janë dëshmorë të atdheut, janë heronj, janë protagonistë të jetës kulturore, të përpjekjeve atdhetare, jo të gjithë të rënë në krye të detyrës, por të gjithë me një jetë të përkushtuar ndaj atdheut si një detyrë mbi detyrat”, tha Rama.
Babai i Dëshmorit të Atdheut, Klodian Tanushi, Basriu, shprehu mirënjohjen për këtë vlerësim që i bëhet djalit të tij ndjerë.
“Ju falenderojmë për përkushtimin dhe marrjen e këtij vendimi, që është një vlerësim për Klodianin, për familjen tonë dhe obligim për fëmijët e Klodianit, që e prisnin me padurim këtë ditë sot. Ju premtojmë që gjithmonë do t’ju shikojmë, takohemi dhe bisedojmë dhe sa të mundemi dhe të kontribuojmë për mbarëvajtjen e punëve. Ta gëzojmë shkollën, i përjetshëm kujtimi i dëshmorit Klodian Tanushi,” u shpreh ai.
Nga ana tjetër, kreu i qeverisë vlerësoi punën e bërë për shkollat e reja dhe ato të rindërtuara në të gjithë vendin, duke thënë se kushtet e tyre po ndryshojnë dita-ditës, por ka ende shumë punë përpara.
“Ndihem mirë që procesi i ndërtimit dhe i rindërtimit, jo vetëm në Tiranë, por në gjithë Shqipërinë po sjell një ndryshim thelbësor. Natyrisht, arsimimi, edukimi i fëmijëve nuk është thjesht dhe vetëm çështje hapësirash, godinash, pajisjesh, sepse është edhe çështje burimesh njerëzore, por ama një gjë është e sigurtë: Pa godinat, pa pajisjet, pa kushtet, është e pamundur të pretendosh të kesh arsim të një cilësie tjetër. Jam shumë krenar që hapësirat, kushtet, po ndryshojnë dita-ditës, po ndryshojnë kudo. Natyrisht, ka ende shkolla të cilat nuk janë prekur nga kjo valë e madhe ndryshimi, por ajo që është e rëndësishme, sot nuk ka asnjë krahasim me dje. Çfarë kemi bërë deri më sot na jep mundësinë që të jemi të sigurt dhe të jemi me kokën lart para njerëzve, për t’u thënë: nuk jemi të kënaqur sepse ka shumë për të bërë. Por, kjo që kemi bërë është garanci që ne dimë se çfarë duhet të bëjmë dhe dimë si duhet bërë kjo punë”, tha kryeministri.
Ministrja e Arsimit, Evis Kushi tha se arsimi sot në Tiranë është në ditët më të mira, me 12 shkolla të reja që u hapën vetëm këtë vit shkollor.
“Që Tirana zbukurohet çdo ditë, kjo nuk diskutohet, po ajo që e bën më të bukur janë këto 12 shkolla që i shtohen këtë vit atij gjerdani të bukur të shkollave. Infrastruktura e mirë bën që nxënësit të shkojnë me dëshirë në shkollë, por të kenë dhe rezultate më të larta”, shtoi ajo.
Shkolla e re në fshatin Qesarakë, “Klodian Tanushi”, ka kapacitete për 600 fëmijë të zonës, një infrastrukturë arsimore e standardeve evropiane, e pasuruar me 4 laboratorë e 1 bibliotekë, dhomë psikologu e infermierie, mjedise të dedikuara për stafin arsimor e atë administrativ, si dhe një palestër moderne, terrene të jashtme sportive dhe një sallë eventesh shumëfunksionale.
Kush ishte Klodian Tanushi?
Major Klodian Tanushi humbi jetën më 10 maj 2019, pasi nuk mundi që t’i mbijetonte plagëve të marra si pasojë e shpërthimit të një mine gjatë misionit në Letoni. Major Tanushi u largua duke lënë pas gruan dhe tre fëmijët, më të voglin vetëm një vjeç. Në letoni humbi jetën edhe nëntetar Zarife Hasanaj.
Të dy ishin pjesë e kontingjentit shqiptar në kuadër të misionit të NATO “EnhancedForwardPresence” në Letoni, për asgjësimin e municioneve eksplozive në Letoni. Zarife Hasanaj, humbi jetën menjëherë në vendngjarje me datë 6 maj 2019, ndërsa Klodian Tanushi u nda nga jeta disa ditë më vonë në spital, pa u rezistuar dot plagëve të marra nga shpërthimi i eksplozivit.
Fraksion.com