‘Lufta’ vijon, Top Media i përgjigjet Kryeministrit Rama
Kryeministri Edi Rama reagoi sot në mëngjes, para nisjes në Berlin, me një Twitter, ku akuzonte emisionin Inside Story, me titull “Grabitja e fondeve publike”, për shantazh në kërkim të fondeve. Reagimi i Kryeministrit vjen si një seri sulmesh ndaj Top Channel, pas transmetimit të disa kronikave shqetësuese për publikun, siç është rritja e energjisë elektrike, rritja e naftës, largimi i të rinjve, taksimi i bizneseve etj.
Për ta bërë më të besueshme për publikun, në reagimin e tij të fundit, Kryeministri Rama nxorri vetëm një faqe të një dokumenti, të dalë nga konteksti. Top Media sqaron se ky dokument është pjesë e projekteve që Fondacioni “Dritan Hoxha”, aplikon prej 15 vitesh në institucionet shqiptare dhe ndërkombëtare, që kanë për qëllim promovimin, advokimin e vlerave të vendit tonë dhe virtyteve të shoqërisë tonë.
Kjo ka ndodhur në dhjetra projekte që ka zbatuar Fondacionin “Dritan Hoxha”, duke nisur nga Ministria e Kulturës, DPSHTRR, Bashkimi Europian, Bashkia Tiranë dhe bashki të tjera në vend etj. Sëfundmi Top Media po zhvillon promovimin e bizneseve Start-up, me mbështetjen financiare të Ministrisë së Rinisë. Dhe ky projekt nuk po transmetohet nën efektet e shantazhit, por po i jepet hapësirë të rinjve që të aplikojnë në iniciativa të reja biznesi.
Duhet theksuar, se asnjë nga fondet e aplikuara në institucione, nuk përdoret për financim nga Top Channel, por ato shpenzohen vetëm për realizimin e programit dhe promovimin e vlerave.
Top Media ka qenë e hapur për të promovuar gjithashtu çdo thirrje të institucioneve, që i shërbejnë interesit publik. E tillë është thirrja më e fundit e Ministrisë së Energjisë, ku nëpërmjet spoteve të sponsorizuara bënte thirrje për kursimin e energjisë. Këto spote publicitare, nuk e kanë ndalur Top Media që të pasqyrojnë shqetësimin masiv të publikut për rritjen e çmimit të energjisë.
Por, le të kthehemi te projekti i AZHBR, për të cilin Kryeministri Rama intimidoi Top Channel dhe emisionin Inside Story. Për hir të transparencës, ne po bëjmë publike, dokumentin e plotë dhe jo të copëzuar. Dokumenti është pjesë e një projekti të aplikuar nga Fondacioni “Dritan Hoxha” pranë institucionit të AZHBR. Ky projekt ka si qëllim promovimin e produkteve bio shqiptare, reklamimin e fermave shqiptare, dhe rritjen e turizmit rural. Ky projekt i quajtur “Bio Albania”, nuk ishte marketing për AZHBR, por për bizneset shqiptare, në mënyrë që të thithen sa më shumë investime në sektorin bujqësor.
Pjesë e projektit ishte dhe transparenca e fondeve të AZHBR, për të cilin institucioni u kujdes që ta jepte duke nxjerr në publik aplikimin e projektit, që është krejtësisht ligjor, i protokolluar dhe i dokumentuar. Ndryshe, emisioni i djeshëm Inside Story, tregoi se fondet publike të AZHBR janë shpërdoruar dhe shpesh u janë dhënë njerëzve me lidhje politike. Emisioni tregoi se një fermer i thjeshtë nuk mund të përfitojë asnjë qindarkë nga fondet IPARD dhe AZHBR.
Do të ishte e udhës, që reagimi i Kryeministrit të ishte për faktet konkrete të emisionit, dhe jo të lëshonte një shashkë për të denigruar misionin e Top Medias dhe stafit të saj. Së fundmi, ndërmjet shantazhit të sajuar të Kryeministrit Rama dhe të vërtetës, e vendos vetëm publiku e vendosin ata fermerë që largohen dita ditës nga Shqipëria.