Shefi i Policisë së Kapitolit kërkon më shumë burime për mbrojtjen e ligjvënësve amerikanë
“Klima aktuale politike në SHBA kërkon më shumë burime për të shtuar mbrojtjen fizike të anëtarëve të Kongresit”, tha të martën shefi i policisë së Kapitolit, Tom Manger.
“Autoritetet po monitorojnë mijëra raste në gjithë vendin për të frenuar rreziqe të mundshme”, tha zoti Manger në një deklaratë pak para se të dilte para gjykatës personi i vënë nën akuzë për sulm me çekiç ndaj bashkëshortit të kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nancy Pelosi.
Paul Pelosi, 83 vjeç pësoi dëmtime të shumta të premten në shtëpinë e tij në San Fransisko. Në momentin e sulmit Nancy Pelosi ndodhej në Uashington.
David Wayne DePape, 42 vjeç, përballet më akuzat e shtetit të Kalifornisë për tentativë vrasjeje, sulm me armë vdekjeprurëse, vjedhje, abuzim me të moshuar dhe kërcënim ndaj një zyrtari publik. Akuza të veçanta federale për sulm dhe tentativë rrëmbimi janë ende pezull.
“Ne besojmë se klima e sotme politike kërkon më shumë burime për të mbrojtur sigurinë fizike për anëtarët e Kongresit,” tha Manger. “Ky plan do të përfshijë edhe forcimin e masave që zbatohen aktualisht për drejtuesit e Kongresit,” tha ai pa dhënë detaje.
Sulmi erdhi pak para zgjedhjeve të Kongresit të 8 nëntorit dhe pason muaj të tërë fushatash të ashpra, ndërsa republikanët përpiqen të fitojnë kontrollin e Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit.
Fraksion.com