Rama: Opozita shfrytëzon inflacionin e luftës për të nxitur njerëzit të shkatërrojnë çdo gjë
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “opozita e Shqipërisë është zhytur në thesin e rublave ruse”.
Në takimin me qytetarët e Korçës, Rama tha se “për këtë nuk kemi nevojë të fantazojmë, as të bëjmë analiza të thella, sepse kemi një fakt botërisht të konfirmuar. E kishim faktin përpara zgjedhjeve, që rusët kanë paguar Partinë Demokratike me gjysmë milion dollarë për të rrëzuar PS nga qeveria”.
“Opozita doli e tha që kjo është një përrallë e Edvinit me Sorosin. Por çfarë rezultoi para pak muajsh? Që paska qenë e vërtetë, aq e vërtetë, sa figuron e zeza mbi të bardhë në raportin sekret të shërbimit amerikan, CIA-s. Për çfarë arsye Rusia, rusët dhe kur paratë ruse paguajnë partitë politike jashtë Rusisë? Kjo nuk ndodh kurrë pa bekimin e atij që ka lëshuar gjithë arsenalin ushtarak kundër Ukrainës”, tha Rama.
“Për çfarë do paguajë gjysmë milion dollarë për PD? Iu lindi në zemër të ndihmojnë Lulin, për inatin tim, po pse? Këtu tani, shumë natyrshëm nuk kemi si të mos shikojmë që ato para nuk janë një rrufe në qiell të pastër, por janë vazhdimësi e një kohe kur PD në pushtet dërgon njerëz në Këshillin e Europës për të bashkuar votat me delegacionin e partisë së Putinit për të aprovuar një rezolutë të Asamblesë së Përgjithshme të Këshillit të Europës që turpëron Shqipërinë, kur e konsideron vendin ku organizohej trafiku i organeve njerëzore nga ushtarët e UÇK-së”, tha Rama.
“Si mund ta bëjë këtë një parti shqiptare? Si mund ta bëjnë këtë përfaqësuesit e një qeverie në Shqipëri? Pse s’e bëmë ne? Ne e kishim përfaqësuesin tonë atje. Pse nuk e bëri Shpëtim Idrizi, i cili nuk ishte më në partinë tonë, kishte dalë në vete për të krijuar atë partinë e tij. Pse nuk e bëri? Pse e bëri Partia Demokratike? E sot që vijmë në këtë situatë, si shpjegohet gjithë ky angazhim dhe si shpjegohet edhe damkosja si nongrata për Shtetet e Bashkuara e një ish-presidenti i cili është takuar, respektuar nga presidentët amerikanë, i një ish-kryeministri për kaq vite, i një vendi të NATO-s, nëse nuk ka lidhje me këtë që po them unë? Patjetër që ka lidhje edhe me këtë”, tha Rama.
“Nuk ka as më të voglin diskutim e shikoni tani sesi gjithë propaganda sot zhvillohet në këtë linjë dhe sesi njerëzve të cilët me plot të drejtë janë të shqetësuar për shkakun e presionit financiar, se nuk është e lehtë, s’është fare e lehtë pavarësisht se ne e kemi neutralizuar deri tani goditjen në çmimin e energjisë dhe pavarësisht se për shkak të saj, ne e kemi mbajtur inflacionin më ulët sesa të gjitha vendet e rajonit”, shtoi ai.
“Inflacioni është inflacion, nuk diskutohet. E po thoja, si shpjegohet që kjo tani përdoret kaq egërsisht duke u shoqëruar me shpifje nga më ekstremet për të shfrytëzuar një moment të vështirë psikologjik, i treti në radhë në këto vite, dhe për t’i nxitur njerëzit që të dalin e të shkatërrojnë çdo gjë. Po më falni, a ka nevojë për shumë fjalë e argumente ajo që u kujtua këtu para se të dilja unë dhe që ju që jeni këtu, e keni pasur realitetin e jetës suaj të përditshme në një qytet ku kur unë vija, kishte vetëm një vend, vetëm një për të fjetur dhe nuk kishte ku të dilje natën se mund të humbisje në gropë”, tha Rama.
Fraksion.com