Paloka: Grupi i Alibeajt kërkoi veton, asnjë pikë përplasjeje për primaret
Kryetari i Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i mandatuar për bisedimet me grupin parlamentar të Enkelejd Alibeajt për përfaqësim të përbashkët në zgjedhjet e 14 majit, deklaroi mbrëmjen e sotme në prononcim për mediet se grupi i Alibeajt donte të vendoste veton.
“Nëse nuk duan të bashkëpunojmë, nuk bashkëpunojmë hiç. Që në ditën e parë kanë qenë primaret. Statuti, edhe i vjetri, ai që sot e konsiderojnë të tyren, edhe ai ka primaret. Nuk ka asnjë pikë që ne të na përplaste për primaret”, tha Paloka.
Sipas tij, në deklaratë kërkohej praktikisht eliminimi i gjithë strukturave të ngritura të PD-së, nga një vit sakrificash, kërkohej eliminimi i strukturës.
“Theksohej që kërkohej një strukturë jashtë këtyre aktuale dhe të merrnin votë unanime. Sikur njëri prej tyre të kundërshtonte, i gjithë procesi binte poshtë. Kishte një veto që bëhet që kur ditën e parë mendon se si ta bllokosh këtë proces. Pse duhej vendosur një veto? Unë mund ta kuptoj që kjo mund t’i kërkohej Edi Ramës, por t’i kërkosh brenda partisë”, tha Paloka.
Paloka informoi se ka biseduar me Bardhin në Parlament. “I kam thënë pikërisht këtë që po ju them ju. Pse duhet të krijojmë ngërçe për procesin? Nuk po na detyron njeri të futemi këtu. Nëse nuk duan të bashkëpunojmë, nuk bashkëpunojmë hiç”, tha Paloka.
Fraksion.com