AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Krifca: Të investohet në rritjen e kapaciteteve të ruajtjes frigoriferike me panele diellore

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Frida Krifca deklaroi sot se përmes skemave të drejtpërdrejta të mbështetjes në bujqësi, fermerët shqiptarë kanë përfituar gjatë këtij viti, 49 milionë dollarë.

Vetëm nga skema e mbështetjes me “naftë pa taksa” kanë përfituar këtë 34 200 fermerë në rang vendi, ndërsa në Korçë janë 8240 fermerë, përfitues, ose 3500 më shumë se vitin e kaluar.

Krifca vuri theksin në nevojën e ngritjes së linjave të përpunimit.

“Kjo është një zonë prodhuese e jashtëzakonshme e drufrutorëve. Por këto prodhime dalin në treg në sezonin e tyre. Por që të kenë një vlerë të shtuar kanë nevojë për trajtim të mëtejshëm. Në Korçë janë 53 pika grumbullimi. Vetëm 3 prej tyre kanë sot temperaturë të kontrolluar gjithëvjetore. Është e pamundur të ruhen e të jenë në treg jashtë sezonit me çmime të larta, për të marrë fitim”, tha ministrja.

Ndaj, shtoi ajo, duhet të investohet në rritjen e kapaciteteve të ruajtjes frigoriferike me panele diellore. Ministrja tha se instalimi i paneleve diellore mbështetet nga programet e IPARD-it.

Krifca solli shembullin e një fermeri, i cili ka të instaluar panelet diellore në çatinë e pikës së tij të grumbullimit, që i sjell kursim deri në 80 % të kostos.

“Me instalimin e paneleve diellore mbi çati, ky fermer kursen gati 80 % të kostove të prodhimit. Në një ditë si kjo, kur energjia është shtrenjtuar është një zgjidhje e zgjuar. Ne duhet të investojmë në mënyrë të mençur, në përputhje me nevojat e tregut të eksportit që sa vjen e është në rritje”, tha ajo.

Ministrja Krifca bëri të ditur se programet e mbështetjes së fermerëve kanë bërë të mundur rritjen e eksporteve

Ministrja vuri në dukje se përmes programeve të mbështetjes për bujqësinë kanë përfituar edhe 5 pika agroturizmi që sot ofrojnë standarde bashkëkohore për vizitorët dhe janë model për kushtet që ofrojnë./ata

 

Fraksion.com