“Ja si i del boja”, Meta nxjerr videon: Ky nxënës kurajoz në Ersekë i thotë hapur të vërtetat e “Rilindjes” për Arsimin
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka publikuar sot një video nga takimi i kryeministrit Edi Rama me të rinjtë në Ersekë.
Bëhet fjalë për pyetjet që një gjimnazist i ka drejtuar kryeministrit për investimet në arsim në qytetin e tij dhe ndalimin e ikjes së të rinjve.
Meta shkruan se censura nuk mundi ta ndalonte këtë nxënës kurajoz, duke shtuar se për shkak të Rilindjes, Arsimi sot është më i braktisur, më i politizuar dhe më i rrënuar se kurrë.
“Ja si i del boja fasadës së investimeve të “Rilindjes” në Arsim përmes të vërtetave të thëna hapur nga ky nxënës kurajoz në Ersekë, të cilin censura nuk mundi ta ndalonte dot.
Për shkak të Rilindjes, Arsimi sot është më i braktisur, më i politizuar dhe më i rrënuar se kurrë. Braktisja e Arsimit tregohet qartasi me mosmbështetjen buxhetore për arsimin, me investimet gjysmake, e tregon shpërfillja për mësuesit, pedagogët dhe për kërkimin shkencor. Bëhen ndërtesa për t’u dhënë tendera klientëve të Rilindjes, por nuk ka laboratorë, palestra, banka dhe mjete mësimore bashkëkohore.
Për Partinë e Lirisë, Arsimi është prioritet i prioriteteve kombëtare dhe do të jetë prioriteti i parë sa herë të diskutohet Buxheti i Shtetit.
Nuk ka zhvillim pa Arsim! Gjithçka për të rinjtë! 📚🇦🇱”, shkruan Meta.
Fraksion.com