Dhuka: Raporti i KE tregon se Shqipëria ka bërë progres në 32 nga 33 kapituj të negociatave
Nën drejtimin e kryetares, Jorida Tabaku Komisioni për Integrimin Europian, zhvilloi sot seancën dëgjimore me Ministrin e Shtetit dhe Kryenegociatoren Majlinda Dhuka.
Në fjalën e saj, në lidhje me Raportin e Progresit të Komisioni Evropian, Dhuka tha se Raporti i Shqipërisë për vitin 2022 nga Komisioni Evropian është dokumenti ndërkombëtar më i qenësishëm për të treguar ecurinë e vendit në vitin 2021. Është një dokument i bazuar në analizën objektive dhe vlerësimet profesionale të një ekipi ekspertësh.
“Raporti i Progresit 2022 konfirmon dhe një herë që Shqipëria dhe qeveria shqiptare vazhdojnë në rrugën e saj të reformave drejtë anëtarësimi në Bashkimin Europian. Në mënyrë të qartë raporti shprehet se vendi ka bërë progres në 32 nga 33 kapituj të negociatave si dhe në tre kriteret e procesit të integrimit në nivele të ndryshme të progresit”, tha ajo.
Dhuka shtoi se, nëse e krahasojmë Progresraportin me Maqedoninë e Veriut e cila ndodhet në një proces vihet re se Shqipëria në shumicën e kapitujve performon më mirë dhe ka bërë progres në krahasim me vendet e Ballkani Perëndimor. Kjo është veçanërisht e dukshme në grupimin 1 të kapitujve themelore të procesit.
Dhuka theksoi se, Shqipëria ka bërë progres në disa kapituj të rëndësishëm dhe kryesisht në kapitullin 23 të reformë në drejtësi.
“Raporti vendos një theks të veçantë se: Shqipëria ka qenë në përputhje me linjën e politikës së jashtme dhe të sigurisë së BE-së dhe i kërkon Shqipërisë dhe qeverisë të vazhdojë në këtë drejtim edhe për vitin në vijim. Raporti përgëzon Shqipërinë veçanërisht për punën e mirë të bërë gjatë këtij viti për kriterin ekonomik, kapitullin 23 gjyqësori dhe të drejtat themelore, kapitullin 5-së prokurimi publik, kapitullin 7 pronësia intelektuale, kapitullin 9 shërbimet financiare etj”, tha ajo.
Në vijim, Dhuka tha se Shqipëria ka bërë një punë të mirë në të gjithë kapitujt e grupimit të parë themelore të procesit të integrimit.
“Përparim i mirë konstatohet veçanërisht në zbatimin dhe konsolidimin e reformës në Drejtësi. Rëndësi të vë theksin dhe te cilësimet e raportit për punën e bërë në kriterin politik. Në raport theksohet roli i pazëvendësueshëm i Parlamentit në procesin e integrimit dhe përgëzohet fakti se gjatë periudhës së prezantimit u miratua me konsensus shtyrja e afatit të organeve të vetingut si dhe një numër ligjesh. Një ndër rekomandimet kryesore në këtë pikë është që qeveria, pozita dhe opozita të shtojnë bashkëpunimin në të gjitha nivelet për të thelluar reformat në kuadër të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE”, theksoi Dhuka.
Lidhur me reformën në drejtësi, Dhuka tha se raporti njeh punën e bërë nga Shqipëria në këtë drejtim.
“Komisioni Evropian njeh përparimin në këtë fushë duke cituar si zhvillime pozitive me rëndësi dy emërime të tjera në Gjykatën Kushtetuese të cilat rrisin më tej aftësinë e gjykatës për të kryer punën dhe përmbushur mandatin e saj. Rritje e efikasitetit të Gjykatës së Lartë me emërimin e 6 gjyqtarëve të tjerë si dhe me reduktimin e çështjeve të prapambetura. Procesin e verifikimeve të emërimeve në drejtësi i cili ka vijuar të ecë në mënyrë të qëndrueshëm”, tha Kryenegociatorja.
Ajo shtoi se, për këto arsye, Komisioni Evropian i rekomandon Shqipërisë që për vitin 2023 të vazhdohet me avancimin e procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, të vazhdohet me konsolidimin e rritjes së efikasitet dhe të transparencës në të gjitha gjykatat dhe prokuroritë. Gjithashtu të vazhdohet me konsolidimin e kapaciteteve të sistemit gjyqësor.
Lidhur me zhvillimet ekonomike, Dhuka tha se për tregun e brendshëm raporti thekson se Shqipëria ka bërë progres në 8 prej 9 kapituj dhe përbërës të grupimit të 2-të.
“Komisioni Evropian thekson se progres është bërë në zbatimin e rekomandimet të raportit në lidhje me lëvizjen e lirë të anëtarëve të familjes së qytetarëve të BE-së. Marrëveshje dypalëshe të sigurimeve shoqërore me vendet anëtare, zhvillimin e sistemeve të hartologjisë për sistemin e vendeve të lira të punës që përgatisin zbatimin e rrjetit evropian të shërbimeve të punësimit”, u shpreh ajo.
“Ka patur progres të pjesshëm dhe inkurajohet më shumë progres në lidhje më përafrimin e legjislacionit për produktet e tregut me qasje të re dhe globale”, vijoi ajo.
Ajo shtoi se, hap pozitiv cilësohet miratimi i ligjit për dokumentin elektronik, identifikimin elektronik, shërbimet e besuara të biznesit duke përafruar plotësisht legjislacionin kombëtar me rregulloren e BE-së.
“Ndërkohë që vlerësohet se është bërë një farë përparimi dhe inkurajohet më shumë në zbatimin e rekomandimeve të raportit të mëparshëm veçanërisht duke forcuar cilësinë dhe efektivitetin e institucioneve të tregut të punës dhe shërbimeve të punësimit për grupet vunerabël”, tha ajo.
Fraksion.com