AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Ky vend ka fatin më në fund të ketë miqtë e duhur

Kryeministri Edi Rama solli mbrëmjen e sotme nga takimi me qytetarë për paraqitjen e projekteve në bashkinë e Kolonjës shembullin e deklaratave të opozitës në lidhje me listën e udhëtimeve.

“Menjëherë çohen rublat dhe flasin për 22 milionë euro udhëtime me taksi fluturuese. Jo, e vërteta është ndryshe, e vërteta është që faturat e udhëtimeve të mia janë më pak sesa gjysma e faturave të udhëtimeve të atij që s’dua t’ia përmend emrin këtu – se është gjithë ky ujë i pastër, i bukur, dhe kam frikë se mos mban erë pastaj, – kur ishte kryeministër”, tha Rama.

“Këtë shembull e sjell për t’ju thënë: shikoni se me çfarë pafytyrësie tallen me njerëzit, tallen jo me ju, se me ju nuk tallen dot, por tallen me ata që u besojnë, me ata të cilët i ndjekin nga pas, me ata të cilët verbërisht vazhdojnë dhe gënjehen nga gënjeshtra pas gënjeshtrash. Me ata të cilët në mënyrën më të turpshme e harrojnë që ky vend është këtu ku është, jo vetëm për arsye të atyre që ka bërë ky popull, por edhe për arsye se sot, ky vend ka fatin më në fund të ketë miqtë e duhur. Dhe si mundet ky vend të verë në diskutim një zgjedhje midis dikujt që nuk ka lënë të keqe pa i bërë këtij vendi, që fatkeqësisht është pjellë e këtij vendi, dhe miqve tanë më të mëdhenj të cilët thonë që me këtë lloj personazhi ne nuk duam të kemi të bëjmë, sepse është i korruptuar dhe është i inkriminuar, çfarë duhet më shumë?”, tha ai.

Rama tha se njerëzit duhet të shkëputen nga ata që keqinformojnë.

“Si mund të mos mjaftojnë gjithë këto gjëra që kanë ndodhur dhe vazhdojnë të ndodhin për t’u distancuar përfundimisht nga, jo vetëm thjeshtë një person, por nga një grup personash që fytyrën e kanë prej njeriu, por në vend të gjuhës kanë bisht, njerëz me bisht në vend të gjuhës që janë gati të kafshojnë përditë deri dhe kufoma nga mëngjesi deri në darkë përpara kamerave edhe me ndihmën e shumëkujt që bën punën e informimit të publikut, por që në fakt është aty si ato maskat që i dilnin autobusëve rrugës në ’97-ën, jo për ta informuar, por për ta dezinformuar publikun. Dhe për çfarë shqyhet një kufomë duke thënë: e vrau policia, e vrau shteti? Për t’i ngritur njerëzit kundër shtetit. Për t’i nxitur njerëzit kundër vetvetes. Për të bërë shërbimin e atyre të rublave. Bëni kujdes. Dua t’ju them që ne do vazhdojmë vendosmërisht të mbështetemi te ju, te njerëzit e punës në radhë të parë në këtë vend dhe kujt më thotë që në Shqipëri nuk punohet, i them ti nuk e njeh Shqipërinë, sepse është puna që e mban Shqipërinë”, tha ai.

“Nuk është krimi, nuk janë kriminelët, Shqipëria dhe shqiptarët. Kush ia ka vënë Shqipërisë këtë damkë? Janë ata. Ata të cilët arritën deri aty sa mandatin e marrë nga shqiptarët për të qeverisur ta përdorin për të bashkuar votat me delegacionin e partisë së Putinit kundër Shqipërisë, jo thjeshtë Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Rruga jonë është e drejtë. Rruga jonë është e qartë. Të bashkuar dhe të bashkuar, jo thjeshtë të bashkuar mes gjithë atyre që na besojnë, por të bashkuar sa më shumë, edhe me të tjerët që jo domosdoshmërisht na votojnë, po që s’mund të ndahen te fakti i thjeshtë dhe kuptimplotë që ne sot jemi në një situatë kur jemi në presionin e një lufte. Siç e kemi kaluar, duke dalë më të fortë, tërmetin, pastaj pandeminë, patjetër do ta kalojmë dhe këtë, duke dalë më të fortë, edhe pse kjo është më e vështira nga të treja”, përfundoi Kryeministri Rama.

 

Fraksion.com