AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Kemi përballë një aleancë politike të financuar nga paratë ruse

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot nga takimi në bashkinë e Kolonjës ku u fol për rezultatet e prekshme të punës atje dhe për sfidat e kësaj epoke të re kërcënimi për botën ku jetojmë, se nga raporti i CIA-s del që PD është financuar nga paratë ruse për të rrëzuar qeverinë dhe për të fituar zgjedhjet.

Duke folur për situatën e vështirë që është krijuar për shkak të luftës së Rusisë kundër Ukrainës, Rama tha “ne kemi përballë një aleancë politike e cila është në shërbim të parave ruse”.

“Kur ne dolëm dhe thamë disa kohë përpara se PD u financua nga paratë ruse për të rrëzuar qeverinë tonë në zgjedhjet e shkuara, shumëkush filloi të përqeshte, ndërkohë që të tjerë që ju i ndiqni për fat të keq nëpër klubet e mbrëmjeve të komenteve dhe TV, së bashku me ata që morën këto para, thanë se kjo është një sajesë e Edi Ramës dhe Sorosit. Mirëpo ç’na doli? Na doli nga raporti i CIA-s, se PD është financuar nga paratë ruse për të rrëzuar qeverinë tonë dhe për të fituar zgjedhjet”, tha ai.

Në vijim, Rama tha se “aleanca e rublave” ka synimin për të ndryshuar rregullat e demokracisë, marrjen e pushtetit jo me vota, por me dhunë.

“Për çfarë arsye duhet që Rusia të financojë PD? Për arsye që janë të mirëkuptueshme, për të njëjtat arsye që sot ata kanë. Deri dje më thonin ç’ke me ata. Njëri është një plak në pension, tjetri është në Presidencë, pse i thua Lulit ndahu nga ata. Ja pra, që s’paska qenë e thjeshtë. Ajo është e njëjta aleancë rublash, e cila synon të arrijë aty ku u synua dhe më parë, krijimin e një konflikti social për të realizuar atë që kanë synuar përherë, ndryshimin e pushtetit jo me votë, por me dhunë, të ndryshimit të rregullave dhe të qeverisë në tavolinë”, tha Rama.

“Dhe këtu sot lidhet dhe historia e thikës së ngulur në shpinën e UÇK-së e të Kosovës. Si shpjegohet që përfaqësuesit e PD-së në qeveri bashkohen me delegacionin rus në Këshillin e Europës dhe votojnë së bashku një rezolutë ku akuzohet Shqipëria nga ku UÇK shkulte organe njerëzish, i paketonte dhe i trafikonte për të fituar para? Si shpjegohet kjo? Por, ka akoma. Kur gjithë bota e di mirë nga vjen e keqja, që vjen drejtpërdrejt nga Kremlini, këta çdo orë dhe minutë i thonë shqiptarëve se e keqja nuk vjen nga Kremlini, por vjen nga Edvini”, vijoi Rama.

“Ashtu sikundër orë e minutë gënjejnë, shpifin, sajojnë edhe me ndihmën e disa ekraneve, disa kanaleve e disa portaleve, të cilat i bashkon interesi i parasë, interesi i fitimeve të pamerituara, interesi i interesave të prekura nga fakti se nuk çajnë dot për të marrë përfitime të paligjshme. Nuk është një, por disa, dhe mbushin veshët, sytë, shtëpitë e njerëzve që hapin televizorët dhe kompjuterat e tyre për të parë me gjithfarëlloj fabrikimesh dhe shpifjesh. A thua se dikush i ka vënë aty për të propaganduar orë e çast se duhet ikur nga Shqipëria, se Shqipëria është llum, është korrupsion, se në Shqipëri nuk hahet se helmohesh, që në Shqipëri s’ka asgjë etj.”, tha Rama.

 

Fraksion.com