Projektbuxheti, 59 miliardë lekë nga akciza në 2023-shin
Të ardhurat nga akciza në vitin 2023 vlerësohen të arrijnë 59 miliardë lekë.
Referuar relacionit të projektbuxhetit të vitit 2023, i cili tahmë ka mbërritur në Kuvend për diskutim, të ardhurat nga akciza do të jenë 4 miliardë lekë ose 7.3% më shumë se pritshmëritë për vitin 2022.
MFE thotë se faktorët kryesorë që do ndikojnë në rritjen e parashikuar të të ardhurave nga akciza lidhen me rritjen e importit të mallrave të fortë si karburante dhe cigare, si dhe forcimin e luftës kundër informalitetit, nëpërmjet kontrollit rigoroz të subjekteve të akcizës si dhe disiplinimit të mëtejshëm të procedurave të përfitimit të përjashtimeve dhe rimbursimeve nga kjo taksë si dhe efektet e paketës fiskale.
Në paketën fiskale për vitin 2023 janë propozuar disa ndryshime në ligjin “Për akcizat”.
Ndryshimet në akcizë synojnë realizimin e detyrimeve në procesin e përafrimit të legjislacionit të vendit tonë me atë të BE-së dhe transpozimin e Direktivave përkatëse, në rastin konkret të Direktivës së tatimeve indirekte mbi akcizat.
Ministria e Financave dhe Ekonomisë, në kuadër të zbatimit të strategjisë për kursimin e energjisë si dhe subvencionimit të çmimit të paneleve diellore, ka propozuar heqjen e akcizës për akumulatorët e paneleve diellore dhe baterive për makinat me motor elektrik. Kjo masë ka një efekt negativ prej 50 milionë lekësh në buxhet.
Po ashtu propozon ndryshime në akcizën e birrës, që konsistojnë në unifikimin e saj për kategoritë e prodhuesve industrial. Ky harmonizim ka qenë kërkesë e vazhdueshme në diskutimet e nënkomitetit Shqipëri-BE për tregtinë, industrinë, tatimet dhe doganat.
Akciza unifikohet në nivelin 710 lekë HL, ose 7,1 lekë për 1 litër birrë, ndërkohë që deri tani, birra e prodhuar nga impiante me kapacitet nën 200 mijë HL në vit, kishtë një akcizë 360 lekë/hl, ose 3,6 lekë për litër.
Unifikimi ndikon gjithashtu në thjeshtimin e përllogaritjes së akcizës, shmangien e hapësirave për abuzim dhe përafrimin e legjislacionit para hyrjes së Shqipërisë në BE.
Ky ndryshim do të ketë efekt prej 262 milionë lekë, të cilat do të jenë në masën 184 milionë lekë mbi prodhimin e vendit dhe 78 milionë lekë mbi importin.
Gjithashtu ky ndryshim tarifimi do të ndihmoje edhe vet kompanitë vendase për të rritur prodhimin dhe për t’u përpjekur për të qenë më konkurrues në rajon. /atsh
Fraksion.com