Kovaçi: Qeveria ka vetëm dy ditë kohë për të na plotësuar kërkesat, nëse s’e bën nisim grevën e urisë
Kreu i Sindikatës së Pedagogëve, Sandër Kovaçi ka paralajmëruar se do të nisin grevën e urisë nëse qeveria nuk iu plotëson kërkesat për dy ditë.
“Lëvizje e pastër, nuk është e mbështetur as nga rublat ruse, por as nga lirat turke, as nga paratë e pistave që kanë kapur politikën. Këtë betejë e kemi nisur prej tre vitesh, por është intensifikuar prej dy muajsh, kur dërguam peticionin, shoqëruar me 6 javë protesta, 2 javë bojkot të procesit mësimor për një arsim të lartë publik cilësor. Qeveria ka treguar se nuk ka gojë për të reaguar dhe kom për zgjidhjen e çështjeve themelore, por ofron zgjidhje kozmetike.
Në këto kushte pas një diskutimi është propozuar që të kalohet në trajtën e grevës së urisë apo ngujimit, si e vetmja formë, që e lejon ligji, që mund të bëjë efekt për të detyruar qeverinë që të vërë arsimin si prioritet kombëtar. Pasi e pritëm tre vite, i lam dy muaj kohë për të reaguar, i lëmë edhe dy ditë kohë për ti dhënë zgjidhje kërkesave tona,. Më datë 2 tetor të gjithë jemi këtu”, tha Kovaçi.
Kujtojmë se pedagogët dhe Sindikata e Punonjësve të Universiteteve prej dy javësh kanë bojkotuar mësimin në shenjë proteste për zgjidhjen e kërkesave të tyre drejtuar ministrisë së Arsimit dhe qeverisë.
Pedagogët kërkojnë nga ministria e Arsimit dhe qeveria rritjen me 30% të pagave këtë vit dhe 20% vitin që vjen ndërkohë që kërkojnë më shumë financime sa i përket kërkimeve shkencore. Kryeministri i është përgjigjur protestës së tyre dhe ka ofruar zgjidhjen e tij duke ofruar rritjen me 15% të pagave ku 8 % do mbulohej nga shteti dhe 7% nga universitetet, por kjo u refuzua nga ata. Ndërkohë ditën e djeshme u bë e ditur se është arritur një marrëveshje me ministrinë në lidhje me disa nga kërkesat e tyre por që mbetet ende e hapur dera e dialogut për rritjen e pagave që është dhe një kush nga i cili pedagogët nuk heqin dorë.
Fraksion.com