Indi, rritet në mbi 140 numri i të vdekurve në shembjen e urës
Numri i të vdekurve si pasojë e shembjes së një ure të varur që shërbente për këmbësorët në shtetin Gujarat të Indisë ka shkuar në 141.
Sipas lajmit të NDTV, në aksidentin e djeshëm deri më tani janë shpëtuar 177 persona që kanë rënë në lum, ndërsa numri i të vdekurve është rritur në 141. Në mesin e të vdekurve gjenden edhe fëmijë.
Ekipet e marinës dhe të forcave ajrore morën pjesë në punimet e kërkim-shpëtimit.
Zyrtarët qeveritarë theksuan se ura e shembur ka një kapacitet prej 125 persona, duke pretenduar se shembja ka ndodhur për shkak se shumë persona janë gjendur mbi të njëkohësisht.
Mbrëmë ishte konfirmuar se numri i të vdekurve është rreth 90.
Javën e kaluar u hap për qarkullim
Ura 230 metra e gjatë, e mbetur nga periudha koloniale, u hap për qarkullim javën e kaluar pas një periudhe 6-mujore mirëmbajtjeje.
Partitë opozitare kritikuan qeverinë me arsyetimin se ajo nuk ka siguruar kontrollet e nevojshme teknike në urën ku ndodhi incidenti dhe nuk ka bërë vlerësime adekuate të kapacitetit të ngarkesës së urës.
Shumë persona kishin arritur tek qyteza turistike Morbi, për shkak të festivalit të dritës “Diwali”.
Incidenti
Në pamjet e paraqitura në median lokale, vërehet se disa persona janë strehuar në pjesët e urës së shembur të mbetura në sipërfaqe të ujit.
Kryeministri i Indisë, Narendra Modi në një deklaratë nga Twitteri shprehu keqardhje të madhe për incidentin. “Ekipet e kërkim-shpëtimit do të ndihmojnë të prekurit. Tragjedia në Gujarat më ka shqetësuar. Mendimet dhe lutjet e mia janë me njerëzit e prekur”, tha ai.
Modi njoftoi se për të afërmit e atyre që kanë humbur jetën do të jepen 2.430 dollarë, ndërsa për të plagosurit rreth 600 dollarë./AA
Fraksion.com