AktualitetPolitikëTë fundit

Hoxha: Fasha 800 kW, barrë e rëndë për 161 mijë abonentë familjarë

Anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha u shpreh sot në një deklaratë nga selia e PD se, siç është njoftuar nga Qeveria Rama, çmimi i energjisë elektrike do të ndryshojë nga data 1 Nëntor.

Hoxha theksoi se, fasha 800 kW, është barrë e rëndë për 161 mijë abonentë familjarë.

“Enti Rregullator i Energjisë, në shkelje të plotë të ligjeve të vendit është kthyer nga një institucion i pavarur, në një vegël të qeverisë Rama dhe mafies së energjisë elektrike”, u shpreh ai.

“Procedura për rritjen e çmimit të energjisë elektrike është e paligjshme dhe e pa konsultuar me grupet e interesit. Edhe sikur të ishte ndjekur procedura me përpikmëri, rrethanat nuk e justifikojnë rritjen e saj”, theksoi Hoxha.

“Nga të dhënat e siguruara nga Partia Demokratike, në 8 mujorin e këtij viti është prodhuar nga tregu i rregulluar dhe KESH rreth 3.79 TW/h. Nga ana tjetër, OSHEE, për këtë 8 mujor, ka shitur për tregun e rregulluar rreth 3.01 TW/H (për abonentin familjar, privat, buxhetorin dhe jobuxhetorin). Kjo do të thotë se kemi prodhuar më shumë energji nga sa ka qenë nevoja e konsumatorëve”, u shpreh Hoxha.

“Rritja e çmimit të energjisë elektrike nuk është një kërkesë që vjen nga mungesa e prodhimit dhe kriza e çmimeve si pasojë e luftës në Ukrainë, por buron drejtpërsëdrejti nga keq menaxhimi dhe vjedhja sistematike që i bëhet këtij sektori”, nënvizoi ai.

“Partia Demokratike ju fton me 12 nëntor të përballemi për Shqipërinë! Të gjithë bashkë në shesh për të ndalur falimentimin e ekonomisë tonë!”, përfundoi ai.

 

Fraksion.com