Balla: Fasha e energjisë 800 kW nuk aplikohet as në nëntor
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla informoi sot se fasha e energjisë 800 kW nuk do të aplikohet as në muajin nëntor.
Në një prononcim për medie nga selia e Kryesisë së Kuvendit, Balla informoi mbi shtyrjen e vendosjes së fashës 800 kW edhe për muajin nëntor për shkak të miradministrimit të energjisë.
“Edhe pse shi nuk ka pasur, qeveria ka vendosur shtyrjen për shkak të miradministrimit dhe vetëndërgjegjësimit të qytetarëve shqiptarë, që ka dhënë efektet e para të uljes së shpenzimit të energjisë elektrike kot”, tha Balla.
“Ne jemi në kushtet që jemi ndër vendet e vetme, në rajon po e po, por ndër të paktat vende në Europë ku qeveria vazhdon të subvencionojë 80% të faturës së energjisë elektrike të konsumatorëve familjarë dhe biznesit të vogël”, tha ai.
Balla theksoi se në një kohë kur Enti Rregullator i Energjisë njoftoi se fasha nuk do të aplikohet, një pjesë e medieve në mënyrë dashakeqëse vazhdon të keqinformojë se do të aplikohet fasha 800 kW.
“Kjo nuk është e vërtetë”, tha ai.
Fraksion.com