AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama: Tituj pronësie për fermerët pa konflikt

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se qeveria po përgatit një aneks të veçantë ligjor që aty ku toka është pa konflikt t’i japi fermerëve mundësinë e titujve të pronësisë që të kenë akses në fondet e mbështetjes.

Në një takim me fermerët në Peshkopi, Rama theksoi se kushti është që toka të jetë e punuar.

“Çështja e tokës dhe dokumenteve është problem që ne i kemi rënë nga të gjitha anët dhe sa më shumë juristë mbledh për ta zgjidhur aq më lëmsh bëhet. Në veri ka zona që nuk e kanë ndarë tokën. Nuk e kanë pranuar ligjin 7501 dhe e kanë bërë sipas kufijve të vjetër dhe nuk kanë konflikte. Por nuk është në bazë të ligjit. Ne tani po bëjmë një aneks të veçantë ligjor në bashkëpunim me njësitë administrative dhe bashkitë, që aty ku toka është pa konflikt t’i japim mundësinë e titujve të pronësisë që të kenë akses në fonde. Bazuar në parimin se duhet të jetë e punuar. Fermerët që punojnë ato sipërfaqe toke pa tituj pronësie se janë jashtë kuadrit ligjor do të kenë mundësinë të gëzojnë mbështetjen financiare”, tha Rama.

Për sa i përket investimeve të pikave të grumbullimit dhe përpunimit, Rama tha se do të gjendet zgjidhje edhe për ata që pengohen se nuk kanë dokumentet.

“Do të marrim një masë tjetër. Do t’ja japim titullin e pronësisë dhe nëse do të prodhojë një pasojë në të ardhmen atëherë me këtë do të merret shteti. Nuk ka punë personi. Ai do të bëjë investimin, është i sigurt dhe i garantuar nga shteti që nëse është një pronar real i jep shteti lekët e dëmshpërblimit se pronën e përdori dikush tjetër”, sqaroi Rama.

 

Fraksion.com