AktualitetBota+Të fundit

“Vite më të vështira na presin”, Presidenti gjerman bën thirrje për unitet në fjalimin për gjendjen e kombit

Frank-Walter Steinmeier paralajmëroi për “vite më të vështira” përpara Gjermanisë. Ai gjithashtu bëri thirrje për veprim kundër ndryshimit të klimës dhe u zotua për mbështetjen e tij për Ukrainën.

Presidenti gjerman Frank-Walter Steinmeier mbajti fjalimin e tij për gjendjen e kombit të premten në rezidencën e tij zyrtare, Pallatin Bellevue. Tema e fjalimit të tij ishte “Ajo që na lidh, na bën më të fortë”.

Fjalimi erdhi në një kohë pasigurie për Gjermaninë dhe Presidenti Steinmeier preku shumë nga çështjet që rëndojnë në mendjet e shumë njerëzve në Gjermani. Ai përmendi veçanërisht krizën dhe koston e jetesës, inflacionin galopant dhe mungesën e energjisë, si dhe luftën në Ukrainë.

Steimeier premton mbështetjen e Gjermanisë për Ukrainën

Steinmeier e hapi fjalimin me përshkrime të gjalla të tmerreve të luftës, duke theksuar se ajo kishte shkaktuar “krizën më të thellë” që ka njohur Gjermania e ribashkuar. Ai paralajmëroi se “vite më të vështira dhe me vështirësi më të mëdha janë përpara”.

“Një gjë është e qartë: duhet të pranojmë disa kufizime financiare gjatë viteve të ardhshme. Shumica e njerëzve e kanë ndjerë këtë për një kohë të gjatë. Të gjithë duhet të kontribuojnë sipas mundësive të tyre. Kjo krizë kërkon që ne të rimësojmë të jemi modestë”, tha ai në një kohë që shkalla e varfërisë po fillon të rritet në Gjermani

Ai theksoi se bëhej fjalë për t’u kërkuar atyre që janë në gjendje të bëjnë sakrifica ta bëjnë këtë. Steinmeieri e siguroi publikun se shteti do t’i ndihmojë me aq sa mundet ata që kanë më shumë nevojë.

Duke iu referuar kritikave të fundit se Gjermania po merr vendime që e vendosin atë përpara aleatëve të saj evropianë, siç është paketa e fundit e shpëtimit për energjinë, Presidenti tha: “Unë i siguroj partnerët tanë: Gjermania merr përgjegjësitë e saj, brenda NATO-s, në Evropë. Kjo tregohet nga vendimet e politikës së sigurisë të marra nga qeveria gjermane që nga kthesa historike e 24 shkurtit”.

Steinmeier bën thirrje për veprim ndaj ndryshimeve klimatike

Steinmeieri foli edhe për sfidat e ardhshme të Gjermanisë, duke përfshirë ndryshimet klimatike.

“Pa luftën kundër ndryshimeve klimatike, e gjithë kjo është kot. Kjo betejë kërkon të gjithë forcën tonë. Le ta dëshmojmë forcën tonë duke ndryshuar tani! Le t’ua mundësojmë fëmijëve tanë dhe fëmijëve të fëmijëve të jetojnë mirë në planetin tonë! Kjo është në dorën tonë!”

Një sfidë tjetër aktuale dhe e ardhshme, tha ai, është mbrojtja e demokracisë, kundër sulmeve të brendshme dhe të jashtme.

“Demokracia nuk funksionon pa kohezion. Dhe kohezioni nuk ndodh vetë. Duhet të praktikohet. Është fryt i punës së njerëzve, i ndjeshmërisë, i përgjegjësisë dhe i bamirësisë. Hedhja poshtë e idesë se thjesht nuk është i nevojshëm angazhimi social nuk është një përgjigje ndaj sfidave të kohës sonë, “tha presidenti.

Kancelari dhe kabineti mungonin

Në konferencë morën pjesë përfaqësues të organizatave të ndryshme qeveritare, si dhe OJQ dhe të rinj nga e gjithë Gjermania. Mungesa e kancelarit Olaf Scholz, anëtar i Partisë Socialdemokrate (SPD) të presidentit Steinmeier, megjithatë u vu re në Pallatin Bellevue. Asnjë anëtar i kabinetit Scholz nuk ishte i pranishëm dhe as Presidentja e Bundestagut, Bärbel Bas, gjithashtu anëtare e SPD-së.

Fjalimi i Steinmeier erdhi menjëherë pas vizitës së tij të parë në Kiev që kur Rusia pushtoi Ukrainën në shkurt. Në fillim të luftës, Steinmeierin e kritikuan për qëndrimin e tij të butë ndaj Moskës dhe mbështetjen e gazsjellësit të diskutueshëm Nord Stream 2.

Presidenti ka shprehur që atëherë keqardhjen për ato pozicione dhe ka thën se presidenti rus Vladimir Putin duhet të gjykohet për krime lufte. Gjatë vizitës së tij në Kiev, ai tha se Gjermania “do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, ekonomikisht, politikisht dhe gjithashtu ushtarakisht”./DW

 

Fraksion.com