AktualitetBota+Të fundit

Rusia njofton se është përmbushur mobilizimi ushtarak

Rusia njoftoi të premten se ka përfunduar thirrjen e rezervistëve për të luftuar në Ukrainë, pasi tërhoqi në shërbimin aktiv ushtarak qindra mijëra persona brenda një muaji. Mbi një e katërta e tyre janë dërguar tashmë në front.

Njoftimi duket se përmbyll një mobilizim përçarës, i pari mobilizim ushtarak i Rusisë që nga Lufta e Dytë Botërore, prej të cilit dhjetëra mijëra meshkuj u larguan nga vendi dhe solli si rezultat protestat e para të vazhdueshme kundër luftës.

“Detyra e caktuar prej jush (për të mobilizuar) 300 mijë persona është përmbushur. Nuk janë planifikuar masa të mëtejshme”, i tha Presidentit Vladimir Putin gjatë një takimi në Kremlin të transmetuar në televizion Ministri i Mbrojtjes Sergei Shoigu. Ai tha se 82 mijë rekrutë janë dërguar tashmë në zonën e luftimeve dhe se të tjerët po stërviteshin.

Presidenti Putin i falenderoi rezervistët “për përkushtimin e tyre ndaj detyrës, për patriotizmin, për vendosmërinë për të mbrojtur vendin tonë, për të mbrojtur Rusinë, pra atdheun e tyre, familjen e tyre, shtetasit tanë, popullin tonë”.

Të dy drejtuesit rusë pranuan “problemet” në ditët e para të mobilizimit. Zoti Shoigu tha se problemet fillestare me furnizimin e forcave të saporekrutuara janë zgjidhur tashmë. Zoti Putin tha se gabimet kishin qenë ndoshta të pashmangshme, pasi Rusia nuk kishte bërë një mobilizim ushtarak që prej shumë kohësh, por se janë nxjerrë mësime.

“Mobilizimi i pjesshëm” që Presidenti Putin shpalli muajin e kaluar pasi forcat ruse pësuan humbje të mëdha në fushëbetejë, shërbeu si momenti i parë kur shumica e rusëve ndjenë personalisht pasojat e “operacionit të posaçëm ushtarak” të filluar në muajin shkurt.

Më shumë se 2 mijë persona u arrestuan në protestat kundër mobilizimit, veçanërisht në pjesë të vendit të populluara nga pakicat etnike që u ankuan se po përzgjidheshin në mënyrë disproporcionale për t’u dërguar në front.

Presidenti Putin dhe zyrtarë të tjerë kanë pranuar disa gabime, përfshirë thirrjen e disa meshkujve që ishin shumë të moshuar ose jo të aftë për shërbim ushtarak, por thanë se problemet do të zgjidheshin. Dhjetëra mijëra meshkuj rusë besohet se janë larguar nga vendi për të shmangur detyrimin për të luftuar, shumë prej tyre drejt ish-republikave fqinje sovjetike.

Përshkallëzimi

Presidenti Putin urdhëroi mobilizimin në shtator në të njëjtën kohë kur ai miratoi planet për të aneksuar trevat ukrainase. Perëndimi i përshkruan këto lëvizje si një përshkallëzim të konfliktit në përgjigje të vështirësive në fushën e betejës që treguan se Rusia po humbiste luftën.

Analistët ushtarakë perëndimorë kanë thënë se mobilizimi mund të ndihmojë në zbutjen e mungesave të personelit rus përgjatë vijës së frontit prej 1 mijë kilometrash, por pesha ushtarake e mobilizimit do të varet nga fakti nëse Moska mund të pajisë dhe të stërvisë siç duhet rezervistët.

Një nga betejat më të rëndësishme të luftës po afrohet tani në jug, me forcat ukrainase që kanë avancuar këtë muaj drejt Khersonit, qyteti më i madh që Rusia ka marrë të plotë që nga fillimi i sulmit në muajin shkurt.

Qyteti ndodhet në grykëderdhjen e lumit të gjerë Dnipro që përshkon përmes Ukrainën, dhe rajoni përreth kontrollon linjat tokësore dhe furnizimin me ujë të Krimesë, të cilën Moska e ka mbajtur që nga viti 2014.

Përparimi ukrainas duket se është ngadalësuar megjithatë ditët e fundit. Kievi fajëson motin e keq dhe terrenin e ashpër.

Forcat ruse të ngujuara në llogoret me baltë në veri të qytetit shkëmbyen zjarr me raketa, mortaja dhe artileri.

Rusia ka urdhëruar që civilët të largohen nga zona që mban në bregun perëndimor të lumit Dnipro, i cili përfshin qytetin Kherson. Kievi thotë se evakuimi i zonës është diversion për të mbuluar dëbimin e detyruar të civilëve nga forcat ruse, gjë që Moska e mohon.

Sergey Aksyonov, udhëheqësi i Krimesë fqinje, nën kontrollin rus që nga viti 2014, tha se puna ishte përfunduar për zhvendosjen e banorëve që kërkonin të largoheshin nga Khersoni në rajonet e Rusisë përpara kundërsulmit të pritshëm të Ukrainës.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës tha se pajisjet spitalore dhe të biznesit po hiqeshin nga zona, ndërsa forcat shtesë ruse po vendoseshin në shtëpitë bosh.

Përshkallëzimi i urdhëruar nga Presidenti Putin në javët e fundit ka përfshirë gjithashtu një fushatë të re sulmesh me raketa dhe dronë me eksploziv të prodhuar nga Irani mbi objektivat e infrastrukturës civile të Ukrainës, veçanërisht nënstacionet e energjisë elektrike.

Kievi thotë se sulmet që synojnë të lënë ukrainasit pa ngrohje në dimër janë një krim lufte i qëllimshëm. Moska thotë se janë të lejueshme si kundërpërgjigje ndaj sulmeve ukrainase, përfshirë shpërthimin tek ura për në Krime./voa

 

Fraksion.com