Mediat: personi që sulmoi bashkëshortin e zonjës Pelosi, thirri: “Ku është Nancy?”
Paul Pelosi, bashkëshorti i i kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve, Nensi Pelosi ra pre e një sulmi të dhunshëm në shtëpinë e çiftit në San Fracisko mëngjesin e së premtes. Duke iu referuar një burimi agjencia e lajmeve ‘Associated Press’ tha se personi që sulmoi zotin Pelosi, po kërkonte udhëheqësen demokrate. Pak para se ta godiste atë me çekiç, ai kishte thirrur dy herë: “Ku është Nancy”. Vetë zonja Pelosi nuk ndodhej në shtëpi në momentin e sulmit.
Në një konferencë shtypi shefi i policisë së San Franciskos William Scott tha se po hetohet për të përcaktuar motivet e këtij sulmi.
Ai e identifikoi të dyshuarin si David Depape, i cili ndodhet tashmë në paraburgim.
Policia e ndaloi autorin në vendngjarje. Dyzet e dy vjeçari akuzohet për tentativë për vrasjeje, sulm me armë vdekjeprurëse, abuzim ndaj të moshuarve dhe akuza të tjera.
Paul Pelosi 82-vjeçar ka pësuar lëndime të forta në kokë dhe në trup, sipas dy personave që folën për ‘Associated Press’ në kushte anonimiteti, po pa dhënë detaje të tjera mbi gjendjen e tij shëndetësore. Ai u shtrua në spitalin Zuckerberg në San Francisco.
Ndërsa rrethanat e sulmit vazhdojnë të jenë të paqarta, incidenti ka ngritur pikëpyetje mbi sigurinë e anëtarëve të Kongresit dhe familjeve të tyre. Kërcënimet ndaj ligjvënësve janë në nivelin e tyre më të lartë ndërsa shënohen dy vjet që pas sulmit të dhunshëm ndaj Kapitolit. Sulmi ndodh gjithashtu vetëm 11 ditë përpara zgjedhjeve për Kongresin. Krimi dhe siguria publike janë shfaqur si shqetësimet kryesore mes amerikanëve./voa
Fraksion.com