AktualitetPolitikëTë fundit

Gazment Bardhi del nga SPAK: Isha si kallëzues për inceneratorin e Elbasanit! SPAK po përparon në hetime, e nxis t’i shkojë çështjes deri në fund

Sekretari i përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi është paraqitur në SPAK në cilësinë e tij si kallëzues i aferës së inceneratorëve në emër të PD-së.

Në një komunikim për mediat pasi ka dalë nga ambientet e SPAK u shpreh: “Sot isha si kallëzues për inceneratorin e Elbasanit që mesa duket është duke përparuar në hetime. Kam konfirmuar kallëzimin e bërë në emër të PD dhe inkurajoj SPAK për të çuar para përgjegjësisë përgjegjësit”.

“Në vitin 2020, PD ka denoncuar aferën për 3 inceneratorët, Elbasanit, Fierit dhe Tiranës. Sot isha si kallëzues për inceneratorin e Elbasanit, i cili është duke përparuar në hetime dhe pas 2 viteve nuk kanë përfunduar ende. Kam konfirmuar Kallëzimin e bërë në emër të PD dhe inkurajoj SPAK të përfundojë hetimet dhe të çojë para drejtësisë të gjithë personat përgjegjës. Jemi në dijeni se nuk ka asnjë zhvillim për inceneratorin e Tiranës. I kemi dhënë besim SPAK, duhet të na e kthejë mbrapsht. Qytetarët duhet të na japin rezultate konkrete. Gjej rastin t’i nxis të çojnë para hetimet”, tha Bardhi.

Ndër të tjera u shpreh se ndër emrat që ka kallëzuar janë kryeministri Edi Rama dhe nëpunësit që kanë nënshkruar dhënien me koncesion të inceneratorit.

“Kam kërkuar të merren në cilësinë e provës dhe gjetjet e komisionit hetimor për inceneratorët dhe materialet të jenë pjesë e dosjes hetimore. Nga kryeministri Edi Rama deri te nëpunësi që kanë nënshkruar dhënien me koncesion. Sa kohë personat përgjegjës të evidentuar në kallëzim, e rëndësishme është që SPAK po heton, ka besimin tim personal dhe po e nxis ti shkojë deri në fund”, tha Bardhi.

Një ditë më parë, Monika Kryemadhiu paraqit në SPAK po për çështjen e inceneratorit të Elbasanit dhe u shpreh se dorëzoi dokumente të reja në lidhje me këtë aferë.

 

Fraksion.com