Dibra 24 orë ujë të pijshëm për 36 mijë banorë
36 mijë banorë të Peshkopisë kanë tashmë furnizim 24 orë me ujë të pijshëm, pas investimit të qeverisë për ujësjellësin e ri.
Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale pamje nga ujësjellësi i ri i Dibrës, i cili sipas tij, “tanimë i ka 24 orët e shumëpritura të ujit të pijshëm prej Bjeshkëve të Gramës, në çezmat e 36 mijë banorëve të Peshkopisë e fshatrave përreth”.
Furnizimi me ujë sigurohet nga burimet e Bjeshkës së Gramës, Mali i Korabit në një lartësi prej 2345 m.
Në këtë qark infrastruktura e rrjetit të ujësjellësve ishte ndërtuar që në vitin 1967. Konkretisht ujësjellësi i Luzinës u ndërtua në vitin 1967, ndërsa ai i Korabit është ndërtuar në vitin 1982.
Për shkak të infrastrukturës së amortizuar, banorët e këtyre zonave furnizoheshin vetëm 3-4 orë në ditë me ujë gjatë periudhës së thatësirës, ndërsa gjysma e banorëve të qytetit të Peshkopisë furnizoheshin 8-10 orë në ditë.