AktualitetPolitikëTë fundit

Balla takim me deputeten e Bundestagut: Po vijojmë konsultimet për Amnistinë Fiskale, do marrim rekomandimet më të mira nga BE

Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla ka pritur sot në një takim në Kryesinë e Kuvendit, deputeten e Bundestagut Gjerman Gabriela Heinrich, njëherësh edhe nënkryetare e Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate (SPD).

Balla në një deklaratë për mediat pas takimit u shpreh se ende nuk ka një draft, por thekson se amnistia fiskale nuk është e ndaluar ndaj do të marrin rekomandimet më të mira nga BE, ndonësa nisma është kritikuar nga ndërkombëtarët.

“Ne do të vijojmë të konsultohemi për Amnistinë Fiskale dhe do të kemi draft në bashkëpunim me BE. Nuk është e ndaluar por duhet bërë në rekomandimet më të mira nga BE. Nuk ka ardhur ende në parlament drafti, ndaj kini durim.

E rëndësishme të kuptojmë se në këtë situatë të vështirë ekonomike të shkaktuar nga inflacioni i luftës, të gjitha qeveritë mundohen të sigurojnë të ardhura shtesë për efektet e krizës. Amnistia fiskale është për t’u ardhur në ndihmë atyre që kanë më shumë nevojë”, tha Balla.

Ndërsa Gabriela Heinrich që ndodhet në Tiranë prej 2 ditësh shprehet se erdhi që të krijonte bindjen se sa mbështetet procesi i integrimit europian. Heinrich u shpreh se ka ende pika për të cilat duhet punuar, por Shqipëria ka treguar se po punon ndaj procesi mund të jetë akoma më i shpejtë.

Gjithashtu Balla theksoi se Kuvendi i Shqipërisë i ka kërkuar zyrtarisht Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës të rishikojë Rezolutën 1782 (2011), ku të shpallen të pabazuara pretendimet për trafikim të paligjshëm të organeve njerëzore në Shqipëri apo në Kosovë.

 

Fraksion.com