AktualitetPolitikëTë fundit

Amnistia për të burgosurit lëvizje për të ndërhyrë në zgjedhje? Manja i përgjigjet Alibeajt

Amnistia për të burgosurit e njoftuar në fundvit për të dënuarit, u bë temë e debatit në komisionin e ligjeve mes ministrit të Drejtësisë, Ulsi Manja dhe deputetit demokrat Enkelejd Alibeaj.

Ministri Manja përjashtoi çdo mundësi që amnistia e parashikuar për në fundvit të ketë ndikim në zgjedhjet e 14 majit, pasi siç u shpreh ai në përgjigje të demokratit Alibeaj, të dënuarit mund të votojnë edhe në vendet e vuatjes së dënimit.

Alibeaj: 14 maj ka zgjedhje dhe siç ndodh gjithmonë, qeveria lëshon buxhet rrit numrin e administratës. Ju thatë se po mendoni për amnisti. Sa tendera të rinj dhe sa para keni destinuar para zgjedhjeve, sa është numri i rekrutimeve të reja. Amnistia në kushtet kur thatë se nuk ka mbipopullim të burgjeve mos kryhet për efekte zgjedhore? A mos është një lëvizje e drejtpërdrejtë për të ndërhyrë në zgjedhjet lokale të pritshme?

Manja: Është e vërtetë që më 14 maj ka zgjedhje, por që me zgjedhjet e 2021, KQZ ka përcaktuar standarde të qarta me kodin zgjedhor, për prokurimet dhe punësimet. Ndaj do i nënshtrohem kufizimeve që ka kodi zgjedhor. Sa për amnistinë, të dënuarit votojnë edhe aty ku janë, amnistia nuk ka lidhje me procesin zgjedhor.

Lidhur me të drejtën e votës aktive të dënuarit kanë të drejtën të votojnë aty ku janë. Amnistia e fundit është bërë në 2020. Arsyeja tjetër pse po e marrim në konsideratë amnistinë ka të bëjë me funksionimin e sistemit të drejtësisë. Për një kategori të lehtë veprash penale, duhet t’i jepet përparësi. Por nuk ka lidhje me procesin zgjedhor. Është një kërkesë që vjen nga të gjitha flukset. Ne po e bëjmë studimin, është në vullnetin e ligjvënësit.

 

Fraksion.com