Ursula von der Leyen mbërrin në Tiranë, pritet nga kryeministri Rama
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka mbërritur në Tiranë. Von der Leyen është pritur me ceremoni zyrtare në aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, ndërkohë që pas takimit zyrtar me Kryeministrin do të ketë një konferencë të përbashkët për mediat.
Në orën 15.45 do të zhvillohet një takim bilateral mes dy delegacioneve, takim që do të pasohet më pas nga një konferencë e përbashkët mes Von der Leyen dhe kreut të qeverisë Edi Rama.
Kjo vizitë e Von der Leyen vjen në kuadër të turit të vizitave që po zhvillon në Ballkanin Perëndimor. Një ditë më parë, presidentja e KE-së ishte në Maqedoninë e Veriut dhe pas vizitës në Tiranë, të premten Von der Leyen do të jetë në Bosnje Hercegovinë dhe Serbi. Vizita e saj në Ballkan përmbyllet ditën e shtunë në Mal të Zi.
Kujtojmë se vizita e funditnë Tiranë e Presidentes së KE-së ka qenë në shtator të vitit të kaluar. Aso kohe Ursula Von der Leyen erdhi me lajme shpresëdhënëse për Shqipërinë, e cila ende nuk kishte çelur negociatat me BE. Presidentja e Komisionit Europian Ursula Von der Leyen e vlerësoi Shqipërinë për reformat, duke deklaruar se tani është koha që Bashkimi Europain të mbajë fjalën e të veprojë, pasi këtë gjë ia ka borxh rinisë shqiptare.
AXHENDA:
Programi i vizitës së Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian në Tiranë, 27 Tetor 2022
14.30 – Ceremonia e mikpritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”
15.45 – Takim bilateral mes dy delegacioneve në Kryeministri
16.30 – Konferencë për shtyp mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ursula von der Leyen, Presidente e Komisionit Europian në sallën COD, Kryeministri.
Fraksion.com