AktualitetEkonomiTë fundit

Sejko: Inflacioni paraqitet i ulët, ndikim çmimi i rregulluar i energjisë për familjet

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko deklaroi sot se inflacioni në Shqipëri paraqitet i ulët, dhe sipas tij, një ndër shkaqet kryesore është çmim i rregulluar i energjisë elektrike për familjet.

Gjatë fjalës së tij në konferencën e 16-të vjetore të Bankës së Shqipërisë, të organizuar në bashkëpunim me shkollën e Londrës për Shkenca Ekonomike dhe Politike (LSE), Sejko tha se pavarësisht kësaj, inflacioni shënoi rritje të shpejtë gjatë vitit 2022, duke arritur nivelin 8% në tremujorin e tretë, nivel ky më i larti i regjistruar që prej vitit 1998.

“Fatkeqësisht, agresioni ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës ka sjellë para nesh një realitet të ri. Tensioni gjeopolitik që pasoi konfliktin solli probleme masive dhe të papritura në zinxhirët botërorë të furnizimit me produkte sensitive, si ushqime, lëndë bazë e energji, dhe rritje të shpejtë të pasigurisë në tregjet botërore. Kjo goditje përkoi me rikuperimin e shpejtë të kërkesës agregate në periudhën postpandemike dhe u pasqyrua në rritjen e shpejtë të inflacionit botëror gjatë vitit 2022. Tashmë, pjesa më e madhe e vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim po përballen me nivele inflacioni të paprecedenta prej disa dekadash. As Shqipëria nuk bën përjashtim nga ky realitet. Inflacioni shënoi rritje të shpejtë gjatë vitit 2022, duke arritur nivelin 8% në tremujorin e tretë, nivel ky më i larti i regjistruar që prej vitit 1998. Ndonëse inflacioni në Shqipëri paraqitet i ulët, si në kontekstin rajonal dhe në atë europian, duke pasqyruar ecurinë e fortë dhe të qëndrueshme të kursit të këmbimit dhe çmimet e rregulluara të energjisë elektrike për familjet, baza e tij ka ardhur në rritje e zgjerim. Tashmë, pjesa më e madhe e artikujve të shportës shfaqin një normë inflacioni mbi objektivin tonë prej 3%. Po ashtu, artikujt e shportës me normë të lartë apo në rritje inflacioni nuk janë më vetëm mallra e shërbime me origjinë importi, por edhe produkte, të cilat pjesën më të madhe të vlerës së shtuar e gjenerojnë në vend”, deklaroi Guvernatori.

Për Guvernatorin Sejko, identifikimi i reagimit të duhur ndaj kësaj goditjeje përbën një sfidë madhore për qeveritë, për bankat qendrore, për tregjet e ndërmjetësit financiarë, por edhe për bizneset dhe familjet.

“Për qeveritë, tensioni ekonomik dhe social që inflacioni i lartë sjell mbi shtresat më të varfra të shoqërisë dhe segmentet më të brishta të ekonomisë, artikulohet në kërkesa të shtuara për mbështetje fiskale. Megjithatë, plotësimi i këtyre kërkesave bëhet problematik, për sa kohë financat publike janë në presionin e pasigurisë për të ardhmen dhe të kostove të rritura të financimit të borxhit. Për bankat qendrore, trajtimi i goditjeve të ofertës me origjinë të huaj paraqet një dilemë jo të vogël, për faktin se këto goditje kanë ndikim të kahut të kundërt mbi aktivitetin ekonomik dhe nivelin e çmimeve. Në çdo rast, politika monetare mbetet e ndërgjegjshme për balancën delikate që ekziston midis respektimit të objektivit primar të kontrollit të inflacionit me respektimin e objektivit dytësor të zbutjes së luhatjeve ekonomike. Për tregjet dhe ndërmjetësit financiarë, nivelet e larta të inflacionit tentojnë të shoqërohen me rritje të pasigurisë, duke sjellë nevojën e një rivlerësimi të ekspozimit ndaj rrezikut dhe rishikimi të strategjive të tyre të zhvillimit. Së fundi, për bizneset dhe familjet, inflacioni i lartë përbën një sfidë korrente për kostot e jetesës dhe të biznesit, por dhe një sfidë afatgjatë mbi planet e tyre financiare dhe të biznesit”, theksoi ai.

Në këto rrethana, sipas Sejkos, Banka e Shqipërisë e ka identifikuar nivelin e lartë të inflacionit si rrezikun primar për rritjen e qëndrueshme dhe afatgjatë të vendit, për rritjen e mirëqenies shoqërore dhe për kohezionin social. Për këtë arsye, ne kemi ndërmarrë një normalizim gradual, por të vendosur, të qëndrimit të politikës monetare.

“Banka e Shqipërisë ka rritur katër herë normën bazë të interesit gjatë vitit 2022, duke e sjellë atë nga niveli minimal historik prej 0.5% në nivelin aktual prej 2.25%. Në këndvështrimin tonë, ky normalizim është një masë e domosdoshme për ruajtjen e ekuilibrave ekonomikë dhe financiarë të vendit. Ai synon të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për respektimin e mandatit tonë ligjor të stabilitetit të çmimeve dhe për kthimin e inflacionit në objektiv brenda një horizonti kohor dyvjeçar, duke minimizuar në të njëjtën kohë luhatjet afatmesme dhe afatgjata në aktivitetin ekonomik”, u shpreh më tej Sejko.

Por, Sejko u shpreh optimist se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në afatin e mesëm dhe të gjatë

“Normalizimi i qëndrimit të politikës monetare nuk do të shoqërohet me pasoja të panevojshme negative për ekonominë shqiptare dhe stabilitetin e saj monetar e financiar. Projeksionet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet në afatin e mesëm dhe të gjatë. Po ashtu, rezultatet e simulimeve tona sugjerojnë se sistemi bankar ka një shkallë të kënaqshme rezistence, edhe ndaj goditjeve relativisht ekstreme ekonomike dhe financiare. Në mënyrë metaforike, ne hyjmë në këtë betejë të bindur se kura jonë do të shërojë sëmundjen, por sado e hidhur dhe e pakëndshme, nuk do të dëmtojë pacientin”, tha ai.

Në analizën e tij, kjo sepse ekonomia shqiptare vjen në këtë përballje me një inerci pozitive zhvillimi, dhe se stabiliteti financiar i vendit paraqitet i konsoliduar.

“Tregjet financiare janë relativisht të qeta, pavarësisht luhatjeve të moderuara në segmente të caktuara të tij. Sektori bankar është likuid, i mirëkapitalizuar dhe fitimprurës. Ndërkohë që besimi i publikut në të dhe në monedhën kombëtare mbetet në nivele tejet të larta. Së fundi dhe po aq e rëndësishme, borxhi publik mbetet nën kontroll dhe hapat konkrete të qeverisë për konsolidim fiskal ofrojnë një mbështetje më shumë për qëndrueshmërinë e tij”, shtoi ai.

Guvernatori Sejko pohoi se qëndrimi i politikës monetare do të vijojë të mbetet stimulues, gjatë gjithë procesit të normalizimit.

 

Fraksion.com