AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Vendosja e fashës 800 KW nuk është rritje e çmimit të energjisë

Kryeministri Edi Rama u shpreh këtë enjte gjatë konferencës së përbashkët me shtyp me Presidenten e KE-së, Ursula von der Leyen se qeveria nuk do ta rrisë çmimin e energjisë elektrike. Ai theksoi se vendosja e fashës 800 KW nuk është rritje e çmimit të energjisë. Ai u shpreh se janë dy parametra që do të shikojnë nëse do të vendoset fasha për muajin Nëntor, kursimi dhe reshjet.

“E dëgjoj të përsëritur pyetjen do hiqni dorë nga rritja e çmimit të energjisë. Ne nuk do të rrisim çmimin e energjisë. Nuk e kemi thënë kurrë këtë gjë. Vendosja e fashës nuk është rritje e çmimit të energjisë. Është vendosja e një tavani nën të cilin çdo familje mund të kryejë të gjitha nevojat bazike, të gjitha pa përjashtim, pa pasur nevojë për më shumë. Në mbi 1 milionë abonentë familjarë, 1.2 më saktë, janë maksimumi 60 mijë familje që konstatohet se dalin mbi këtë tavan në kulimin e ngrohjes apo për ftohje. Ky është gjë tjetër në krahasim me fjalorin rritje e çmimit të energjisë. Edhe për këtë pjesë, por sidomos për faktorin psikologjik dhe patjetër edhe për të krijuar një filtër ndaj gjithë gënjeshtrave dhe gjithë fabrikimeve, gjithë helmimeve të përditshme të opinionit me të pavërteta që kanë terrorizuar një milet të tërë se do rritet çmimi i energjisë, një gënjeshtër e proporcioneve më të mëdha të mundshme, ne kemi shtyrë aplikimin e fashës për muajin Tetor jo sepse kështu deshëm ne, sepse po të ishte për atë që ne duam, do ishin bërë rroga dyfish, do ishin bërë pensionet dyfish e kështu me radhë. Por sepse ishin dy parakushte. E para patëm reshje, jo aq sa do donim, por mjaftueshëm për ta konsideruar si krijim mundësia dhe e dyta pamë një ulje konsumi, që do të thotë një sjellje pozitive për kursim. Aktualisht po e shohim çdo ditë sa i përket reshjeve nuk kemi shumë për të parë sepse qielli çdo ditë shkëlqen nga dielli, pra lajmi është i keq, dita është e mirë. Sa i përket kursimit përsëri shikojmë pozitivitet. Kemi ulje të konsumit. Nëse do të kursehet arsyeshëm mundësia që të veprojmë ndryshe me fashën krijohet. Ky alarm absurd këtu neglizhon komplet faktin që fasha 800 kilovat ka kohë që është vendosur në republikën fqinje të Kosovës, dhe pa kushte. Nuk na rezulton që ka prekur të gjithë popullin e Kosovës”, u shpreh Rama.

Sa i përket ndihmës që ka dhënë BE për krizën energjetike, Rama tha se 80 milionë euro përbëjnë 1 të 6 e asaj që i është dashur shtetit të paguajë për të siguruar energji për këtë vit.

“80 milionë Euro nuk janë pak, janë një shifër e konsiderueshme, ndërkohë që për t’ju përgjigjur pyetjes sa pjesë e të tërë nevojës janë që ne të vazhdojmë të mbrojmë çmimin e familjeve dhe të konsumatorëve, janë 1 e 6. Dmth nëse i referohemi këtij viti ne na është dashur në total deri në fund të vitit sipas parashikimit, 460 milionë euro. Kjo një shumë e kombinuar midis buxhetit të shtetit dhe Operatorit të Prodhimit të Energjisë. Është shumë marramendëse për tërësinë e buxhetit tonë, por është një shumë që ka ndihmuar edhe për inflacionin. Pavarësisht se në ekranet tuaja dhe në faqet e informimit kjo gjë thuajse nuk duket asgjëkundi, përkundrazi, e kundërta dhe e pavërteta zë shumë vend, Shqipëria sot ka inflacionin më të ulët në rajon. Arsyeja kryesore e këtij inflacioni më të ulët në rajon, pavarësisht se inflacioni nuk është asnjëherë i ulët në kohë lufte, është fakti që kemi një mburojë financiare për çmimin e energjisë. Në rast se ne do të kishim relativizuar këtë mburojë sikur pak të kishim prekur çmimin e energjisë duke afruar me tregun, kjo do e kishte reflektuar tek çmimi i familjeve. Asnjë pikë shitjeje në Shqipëri nuk ka një çmim të energjisë elektrike të ndryshuar përkundrazi paguan të njëjtin çmim të energjisë që paguante para fillimit të krizës  së energjisë”, u shpreh Rama.

 

Fraksion.com