Rama me Von der Leyen: Më 6 dhjetor Tirana do të bëhet skena e ngjarjes politike europiane
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen krah Kryeministrit Edi Rama foli edhe për temat që pritet të diskutohen në samitin e përbashkët mes krerëve të Bashkimit Europian dhe atyre të Ballkanit Perëndimor. Ky samit do të zhvillohet për herë të parë në Tiranë, më datë 6 Dhjetor.
“Do të diskutojmë situatën gjeopolitike. Sigurisht në qendër të këtyre diskutimeve do të jetë lufta e tmerrshme që Rusia po bën në Ukrainë dhe sesi mund të mbështesim më tej Ukrainën, sepse jemi shumë të qartë që ne do të qëndrojmë krah Ukrainës për aq kohë sa të duhet. Dhe mendoj që edhe energjia do të luajë një rol shumë të rëndësishëm në këto diskutime dhe me të gjitha ato pasoja që janë përmendur tashmë në këtë konferencë për shtyp. Kështu që do të kemi edhe tema të tjera, si për shembull infrastruktura, por edhe sesi do të vijojmë të trajtojmë krizën“.
“Ne do të diskutojmë edhe zhvillimin ekonomik, por edhe ato çështje që do të jenë në ato kohë. Por një gjë që unë pres që të diskutohet dhe e di që nuk do të zhgënjehem në këtë gjë, është mikpritja e mrekullueshme e Shqipërisë. Dhe e di që ka për të qenë një samit vërtetë shumë i këndshëm këtu në Shqipëri”.
Ndërsa nga ana e tij, Kryeministri Edi Rama shtoi: “Bashkë me gjithë delegacionet që vijnë në Tiranë në 6 Dhjetor do të vijnë edhe shumë gazetarë, të cilët i përkasin kategorisë së gazetarëve, të cilët merren me politikë dhe të cilët, pjesa më e madhe kanë menduar dhe mendojnë se Shqipëria është një vend jo i rrezikshëm. Do vijnë këtu dhe do ikin me të njëjtën mendje që ikin të gjithë kur e shikojnë Shqipërinë. Shqipëria ka vetëm një rrezik, të bën të dashurohesh me të! Natyrisht këtë rrezik e keni kaluar ju dhe prandaj e keni humbur dashurinë për të.”
Fraksion.com