AktualitetEkonomiPolitikëTë fundit

Rama: Hekurudha Tiranë-Durrës, gati në pranverën e 2024-ës

Kryeministri Edi Rama shprehu sot bindjen se hekurudha Tiranë-Durrës do të jetë gati pranverën e vitit 2024.

Në një konferencë të përbashkët për shtyp me presidenten e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Kryeministri Rama u ndal te projekti i hekurudhës së re, punimet e të cilit sipas tij, janë shtyrë për shkak të burokracive të BERZH-it.

“Në këtë rast, jo për shkak të burokracisë së Komisionit por të BERZH, projekti ka nisur shumë më vonë se sa parashikimi por jemi në kushtet kur mund të themi se në pranverën 2024 do të kemi aksin hekurudhor Tiranë-Durrës dhe Tiranë-Rinas-Durrës”, tha Rama.

Rama i shprehu presidentes Von der Leyen mirënjohjen për mbështetjen ndaj Shqipërisë.

“Ne e kemi ndjerë Komisionin Europian nën udhëheqjen tuaj më afër se asnjëherë më parë dhe ndjeshmëria e njohur qysh në kohën e shërbimit si ministre e Mbrojtjes ndaj kësaj zone të Europës, Ballkanit Perëndimor është theksuar dhe më shumë dhe është bërë edhe më e prekshme me drejtimin e Komisionit. Ne jemi shumë të vetëdijshëm se falë Jush personalisht ne kemi pasur një mbështetje edhe më të madhe se normalisht pas tërmetit katastrofik”, tha Rama.

Kryeministri vlerësoi po ashtu mbështetjen e KE-së për përballimin e situatës aktuale.

“Jemi shumë të vetëdijshëm se edhe në këtë situatë kaq të vështirë për të gjithë, jo vetëm për ne, përsëri falë qasjes së KE-së ndaj Ballkanit Perëndimor dhe falë qasjes Tuaj personalisht, përsëri ne nuk jemi vetëm”, shtoi Rama.

Sipas tij, Presidentja e KE-së informoi në takim për gjithë situatën financiare në kushtet e një lufte që bombat dhe plagët i ka në Ukrainë, por pasojat e së cilës ndjehen në të gjithë Europën, te tregu i energjisë dhe inflacioni që ka prekur të gjithë pa përjashtim.

 

Fraksion.com