Peleshi: Buxheti i Mbrojtjes, 116.6% më i lartë se në vitin 2013
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaroi sot se buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2023 është 116.6% më i lartë se buxheti i vitit 2013.
Në fjalën e tij në diskutimin në parim të projektligjit “Për buxhetin e vitit 2023” të Ministrisë së Mbrojtjes, në mbledhjen e Komisionit për Sigurinë Kombëtare, Peleshi u shpreh se, “drejtimet e rëndësishme mbi të cilat do të fokusohet puna e strukturave të MM, janë ristrukturimi i Forcave të Armatosura, përmirësimi i kapaciteteve operacionale, ringritja e sistemit të arsimimit ushtarak si dhe përsosja e stërvitjes, infrastrukturës dhe modernizimi”.
“Buxheti i MM në vitin 2023 është 116.6% më i lartë se buxheti i vitit 2013 dhe 261.2% më i lartë në shpenzimet kapitale. Pra investimet krahasuar me 2013-ën janë 2.5 herë më të larta në këtë buxhet”, tha Peleshi.
“Në buxhetin e parashikuar gjatë viteve buxhetore 2023-2025, pra në buxhetin afatmesëm, MM synon zhvillimin e politikave të nevojshme në fushën e personelit, të promovimit të karrierës, të trajtimit të ushtarakut, të rritjes së transparencës, llogaridhënies, modernizimit të FA dhe plotësimit të objektivave të kapaciteteve të NATO-s”, theksoi Peleshi.
Sa i përket objektivit të NATO-së ku 2% e GDP-së të shkojë për mbrojtjen, i cili duhet arritur brenda 2024 dhe 20% e totalit të shpenzimeve duhet të shkojnë në pajisje kritike dhe modernizim, Peleshi tha se, “këtë vit jemi 1.85% me këtë buxhet, 29% e të cilave do të jenë në investime. Pra objektivi ose angazhimi i dytë i përqindjes që duhet të shkojë për modernizim që është 20%, ne e kemi arritur dhe tejkaluar është 29%. Por na duhet që 1.85% të GDP-së që kemi këtë vit ta çojmë në 2% në 2024-ën”.
“Kemi parashikuar në buxhetin afat-mesëm që në 2024-ën të shkojmë në 2.1% në fakt, që është 0.1% mbi angazhimin që kemi në NATO dhe 21.2% të të cilave do të jenë për investime në 2024-ën, sipas projeksionit të sotëm. Ndërsa në vitin 2025, do të arrijmë në 2.21%”, theksoi Peleshi.
Peleshi nënvizoi se, “buxheti i MM për vitin 2023 është 40 miliardë e 256 milionë lekë”.
Peleshi u shpreh se, “nga korriku i këtij viti pagat e të gjithë ushtarakëve, nga ushtari bazë dhe deri tek gjeneralët janë rritur me 30%. Ka qenë një masë e duhur. Natyrisht që kjo rritje nuk ishte vetëm për një vit, është e vazhdueshëm, kështu që është mbuluar në buxhet gjatë vitit 2023 e në vazhdim”.
Peleshi u shpreh se, “për shpenzimet në mbështetje të plotësimit të objektivave dhe kapaciteteve, mbështetet financiarisht plotësimi i kapaciteteve operacionale të deklaruara në NATO nëpërmjet modernizimit të FA rreth 13.8 miliardë lekë, ose 51% e shpenzimeve kapitale dhe 22.3% e totalit të shpenzimeve të vitit 2023. Pra një pjesë të madhe të buxhetit po e kalojmë drejt objektivave të kapaciteteve të deklaruara në NATO”.
“Garantohen kapacitetet e reja për teknologjitë e informacionit dhe mbikëqyrja nëpërmjet blerjes së dronëve, të shërbimit satelitor dhe mbrojtjes kibernetike. Këto shkojnë në vlerën 1.4 miliardë lekë”, tha Peleshi.
Fraksion.com