Kriza energjetike, BE-ja do të ndajë 75 milionë euro për Kosovën
Bashkimi Evropian pritet të ndajë 75 milionë euro si ndihmë të menjëhershme për Kosovën në përballimin e krizës energjetike.
Kështu ka bërë të ditur presidentja e Komisionit Evropian, Ursula Von der Leyen, e cila vizitoi Kosovën më 27 tetor.
“Ne do të finalizojmë të gjitha procedurat e nevojshme deri në fund të vitit që ju të mund të merrni fondin që në janar”, tha ajo në një konferencë të përbashkët pas takimit me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.
Evropa aktualisht po përballet me një krizë energjetike si pasojë e luftës së Rusisë në Ukrainë. Furnizimi me gaz për ngrohje, por edhe energji elektrike është paralajmëruar se do të vështirësohet gjatë këtij dimri.
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, duke falenderuar BE-në për këtë mbështetje, tha se “është vendimtare që BE-ja të “na qëndrojë pranë dhe të na mbështesë me përballje me krizat, si ajo energjetike”.
Kosova siguron shumicën e furnizimit me energji elektrike përmes prodhimit të saj me qymyr. Nevoja për import të energjisë rritet gjatë dimrit, pasi kapacitetet vendore nuk mbulojnë nevojat për gjithë vendin.
Përveç mbështetjes së menjëhershme për krizën aktuale, Von der Leyen tha se pritet të ketë një investim tjetër prej 500 milionë eurosh për të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
“Duam t’iu ndihmojmë në pavarësinë tuaj energjetike. Qasja jonë është se do të ofojmë mbështetje të fortë për të ndërtuar kapacitete të reja, për të zëvendësuar qymyrin me energji të ripëritshme”, tha ajo.
“Po punohet në bindjen e skeptikëve për liberalizimin e vizave për Kosovën”
Përveç çështjes së energjisë që, ishte arsyeja kryesore për vizitën e Von der Leyen në Kosovë, zyrtarja e lartë evropiane foli edhe për liberalizimin e vizave për Kosovën.
“Ju dëgjoj qartë në çështjen e liberalizimit të vizave. E dini se keni një aleat dhe mua personalisht. Kosova e meriton liberalizimin e vizave. I keni përmbushur të gjitha kushtet”, tha Von der Leyen.
Rikujtojmë se Komisioni Evropian, që udhëhiqet nga Von der Leyen, tashmë ka rekomanduar dy herë liberalizimin e vizave për Kosovën.
Megjithatë, në diskutimet brenda Këshillit të BE-së, ka shtete, përfshirë Francën, që kanë vënë në diskutim kushte të reja sa i përket liberalizimit.
“Detyra jonë është të bindim të gjithë vendet e Këshillit Evropian”, ka thënë Von der Leyen.
Më 13 tetor, në takimin e grupit punues për viza të Këshillit të Bashkimit Evropian, zyrtarët e Francës kushtëzuan procesin e vizave për Kosovën me funksionalizimin e sistemit të sigurisë në Evropë, ETIAS.
Sistemi ETIAS është sistem evropian për autorizim dhe informacione rreth udhëtimit. Ky sistem elektronik mundëson verifikimin e të dhënave të qytetarëve të vendeve të treta, që nuk kanë nevojë për vizë, për të hyrë në Zonën Shengen.
Procedura ligjore për të miratuar këtë sistem ka nisur më 2016, dhe sistemi pritet të jetë plotësisht operacional brenda vitit 2023 – pa ndonjë datë të saktë.
Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Bosnjë e Hercegovinë më 28 tetor dhe më pas në Serbi.
Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi, të shtunën, më 29 tetor./REL
Fraksion.com