I mbyllën biznesin, Agron Shehaj: Gjykata vendosi në favor të Edi Ramës, por unë nuk tërhiqem
Gjykata ka vendosur në favor të Policisë së Shtetit e cila pak ditë më parë i bllokoi biznesin deputetit të Partisë Demokratike Agron Shehajt, për shkak se në godina ku ishte aktiviteti është bllokuar për pasi kishte 560 m2 pa leje. Lajmin e ka bërë me dije vetë deputeti demokrat, i cili ka akuzuar drejtësinë si të kapur nga Edi Rama dhe se ka vendosur në favor të kreut të qeverisë. Sipas Shehajt, ky ishte një gjyq farsë, ku policia fiton pa paraqitur asnjë provë, urdhër, apo akt para gjykatës. Deputeti demokrat paralajmëron se beteja ligjore do të vijojë deri në Strasburg dhe ndërkohë nënvizon se nuk shantazhohet dhe nuk tërhiqet.
‘Gjykata sapo vendosi në favor të Edi Ramës. Në këtë vend kur verdiktin e jep kryeministri, nuk ka asnjë njeri tjetër që ta kundërshtojë atë. Ky ishte një gjyq farsë ku Policia fiton pa paraqitur asnjë provë, urdhër apo akt para gjykatës. Çdo qytetar e di që në Shqipëri përballë Edi Ramës nuk mund të ketë drejtësi. Beteja ligjore do vazhdojë deri në Strasburg. Jam i bindur se në fund do ketë drejtësi. Beteja politike, me fakte dhe prova të vjedhjeve të kryeministrit dhe ministrave në dëm të popullit më të varfër në Europë nuk ndalet. Unë nuk shantazhohem dhe nuk tërhiqem!’- shkruan Shehaj.
Deputeti demokrat Agron Shehaj, gjatë fjalës së tij në Kuvend pak ditë më parë akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Edi Rama se i ka bllokuar biznesin, si hakmarrje politike ndaj tij dhe për t’i bërë shantazh. Shehaj tha se qeveria i ka dërguar policinë në ambientet e biznesit të tij dhe kjo është bërë vetëm për t’i mbyllur gojën. Pas këtyre akuzave, reagoi edhe kryeministri Rama, i cili tha se Shehaj e ka futur biznesin në një ndërtesë pa leje dhe ndërtesa është bllokuar si e paligjshme nga IKMT me mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe në bazë të ligjit sapo ka dalë edhe vendimi i konfiskimit.
Fraksion.com