Çuçi: Do të rikthehen kamerat e trupit për Policinë e Shtetit
Kamerat e trupit do të rikthehen për një pjesë të madhe të punonjësve të Policisë së Shtetit.
Konfirmimin e dha sot ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, teksa prezantoi në Komisionin për Sigurinë Kombëtare buxhetin e vitit 2023.
“Kamerat e trupit e kanë sistemin e ngritur dhe fondi nuk është shumë i madh, por tërësisht i përballueshëm brenda buxhetit të vitit 2023. Është në nivelin e 60 milionë lekëve në vit, një shumë që mund të përballohet nga buxheti i shtetit”, tha ministri i Brendshëm.
Në vijim të diskutimit me deputetët, Çuçi theksoi ndër të tjera se, “vitin e ardhshëm investimet në Policinë e Shtetit do të jenë 56% më tepër se viti aktual, me fokus kryesor teknologjinë, sistemet dixhitale dhe rritjen e sigurisë përballë sulmeve kibernetike.
“Në total këto investime janë 7.6 herë më tepër. E përllogaritur në vlerë rreth 500 milionë lekë nga buxheti i Ministrisë së Brendshme dhe 278 milionë lekë investime nga AKSHI për llogari të sistemeve të Policisë së Shtetit”, tha ai.
Fraksion.com