AktualitetPolitikëTë fundit

Von der Leyen nesër në Tiranë, pritet nga Rama

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen do të vizitojë nesër Tiranën në kuadër të një turi në vendet e Ballkanit Perëndimor.

Sipas axhendës zyrtare të publikuar nga zyra e shtypit e Kryeministrisë, në orën 14:30 do të zhvillohet ceremonia e mikpritjes në Aeroportin Ndërkombëtar “Nënë Tereza”.

Në vijim, në orën 15:45 do të zhvillohet takimi bilateral mes dy delegacioneve në Kryeministri.

Në orën 16:30, Kryeministri Edi Rama dhe presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen do të kenë një konferencë të përbashkët për shtyp në ambientet e COD.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen nisi sot turin në vendet e Ballkanit Perëndimor me vizitën në Maqedoninë e Veriut.

Nesër ajo do të vizitojë Prishtinën dhe Tiranën, ndërsa në 28 tetor do të jetë në Beograd dhe Sarajevë, duke përfunduar udhëtimin në rajon më 29 tetor, në Podgoricë.

Mesazhi i presidentes së Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen drejtuar vendeve të Ballkanit Perëndimor do të jetë një mesazh solidariteti me rajonin, tha më herët zëdhënësi i KE-së, Eric Mamer.

Qëllimi i kësaj vizite është të rikonfirmohet rëndësia që BE-ja i jep marrëdhënieve me rajonin, si dhe të përforcohet mesazhi i perspektivës evropiane të rajonit.

 

Fraksion.com