Rusia përgatitet për “betejën më të ashpër” në Herson
Rusia po vazhdon të kryejë sulme në mbarë Ukrainën, duke shkaktuar dëme e duke vrarë civilë, teksa forcat e saj po përgatiten për betejën në rajonin strategjik jugor të Hersonit, thanë zyrtarët dhe ushtria ukrainase.
Shtabi i Përgjithshëm i ushtrisë ukrainase tha më 26 tetor se mbi 40 vendbanime u goditën nga sulmet ruse të kryera një ditë më parë.
Rusia ka përdorur kombinim të sulmeve ajrore, raketave dhe predhave për të goditur caqet ukrainase, tha Shtabi i Përgjithshëm në raportin e publikuar në mëngjes.
Në qytetin Dnipro, në Ukrainën qendrore, të paktën dy persona – përfshirë një grua shtatzënë – u vranë nga bombardimet ruse, tha guvernatori rajonal, Valentyn Reznichenlo.
Një qytetin jugor të Hersonit, forcat ruse po përgatiten për “betejën më të ashpër”, tha Oleksiy Arestovych, këshilltar i presidentit të Ukrainës, Volodymyr Zelensky.
Kundërofensiva ukrainase ka kthyer forcat ruse në rajon, ku kryeqytetit provincial i Hersonit ka qenë në duart e rusëve që nga ditët e para të pushtimit të Ukrainës që ka nisur tetë muaj më parë.
“Gjithçka është e qartë sa i përket Hersonit. Rusët po mbushin radhët, po forcojnë grupimet e tyre atje”, tha Arestovych përmes një video-mesazhi të publikuar në orët e vona të 25 tetorit.
Autoritetet e instaluara nga Rusia po evakuojnë banorët nga bregu lindor i Lumit Dnjepër, teksa forcat ruse po përgatiten që ta mbrojnë qytetin, tha ai.
“Kjo do të thotë se askush nuk po përgatitet që të tërhiqet. E kundërta, beteja më e ashpër do të ndodhë në Herson”, tha Arestovych.
Zelensky përsëri më 25 tetor u zotua se do të rimarrë qytetin e Hersonit, humbja e të cilit do të ishte një ngecje e madhe për presidentin rus, Vladimir Putin.
Një prej katër provincave ukrainase të pushtuara pjesërisht të pushtuara nga Rusia dhe që Putini ka pretenduar se i ka aneksuar, Hersoni është rajoni më i rëndësishëm strategjik. Hersoni është lidhja e vetme rrugore me Krimenë e aneksuar nga Moska./rel
Fraksion.com