Meta, takim me Berishën: Do respektojmë çdo emër që del nga primaret
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta zhvilloi sot një takim me kryetarin e PD-së Sali Berisha.
Në një prononcim për mediet, pas takimit, Meta mohoi të ketë pasur bisedime për emrat e kandidatëve për kryetarë bashkish në zgjedhjet e ardhshme, por tha se kanë rënë dakord për emrin e kryetarit të ardhshëm të parlamentit të Tiranës.
“Partia e Lirisë, respekton primaret është një risi e jashtëzakonshme, kemi kërkuar që sa më shpejt të realizohet ky proces. Ne si PL kemi kandidatë që premtojnë, do t’i përfshijmë në primare të përbashkëta me PD dhe parti të tjera të opozitës. Kandidatët të respektojnë njëri-tjetrin, përndryshe ata që nuk respektojnë të përjashtohen nga gara. Nuk kam pasur asnjë diskutim për emrin e kandidatëve për Tiranën dhe kudo tjetër për arsye se ky është një proces që i takon primareve dhe do respektojmë çdo emër që del nga primaret. Por i kam propozuar një emër Berishës për kryetar të parlamentit të Tiranës të cilit ai e priti me kënaqësi”, theksoi ai.
Po ashtu, Meta tha se Këshilli Bashkiak i Tiranës do të dëgjojë qytetarët.
“Parlamenti i ardhshëm i Tiranës do jetë institucioni më i rëndësishëm. Çdo ditë të hënë do të ketë këshill bashkiak për të dëgjuar qytetarët. Emri është një superpolitikan. Nënë Liza nuk do rrijë më në rrugë e keqtrajtuar nga Policia Bashkiake, por do flasë aty në parlamentin e Tiranës. Do ta shikoni forcën e qytetarëve të Tiranës shumë shpejt”, tha ai.
Fraksion.com