AktualitetBota+Të fundit

Ekspertët: raketat që do të testojë Koreja e Veriut do të jenë me mbushje bërthamore

Ekspertët që janë në pritje të një prove bërthamore nga Koreja e Veriut thonë se në atë aktivitet duket se do të përfshihen edhe mbushje bërthamore në miniaturë, të projektuara për t’u vendosur brenda raketave që kanë kapacitetin të godasin Korenë e Jugut.

Fuqia e shpërthimit do të ishte e ngjashme me atë të bombave bërthamore që Shtetet e Bashkuara hodhën mbi qytetet japoneze Hiroshima dhe Nagasaki, në gusht të vitit 1945, për t’i dhënë fund Luftës së Dytë Botërore, thonë ekspertët.

Të martën, Presidenti i Koresë së Jugut, Yoon Suk Yeol, duke folur në parlament tha se Koreja e Veriut ka përmbyllur përgatitjet për provën e shtatë bërthamore.

Shërbimi korean i Zërit të Amerikës kontaktoi misionin e Koresë së Veriut në OKB, në qytetin e Nju Jorkut, duke kërkuar komente për vlerësimet e Uashingtonit dhe Seulit për një provë të mundshme bërthamore, por nuk mori përgjigje.

Imazhet satelitore treguan fillimisht shenja të përgatitjeve të Koresë së Veriut në objektin e saj të provave Punggye-ri në muajin mars, dhe përgatitjet kanë vazhduar që nga ajo kohë.

Shërbimi Kombëtar i Zbulimit i Koresë së Jugut vlerësoi se prova bërthamore mund të bëhet në periudhën 16 tetor – 7 nëntor.

Koreja e Veriut ka bërë gjashtë prova bërthamore gjatë viteve 2006 – 2017.

Prelud i provës bërthamore

Ekspertët thanë se prova e shtatë bërthamore e Koresë së Veriut ka të ngjarë të pasojë raundet e fundit të lëshimeve të raketave.

Jim Walsh, ekspert bërthamor në Programin e Studimeve të Sigurisë të Institutit të Teknologjisë së Massachusetts (MIT), tha se gjashtë provat e mëparshme bërthamore të Koresë së Veriut “u paraprinë nga një seri e përshkallëzuar provash me raketa”.

Koreja e Veriut tha më 10 tetor se një varg provash me raketa me rreze të shkurtër dhe një provë e raketave me rreze të mesme veprimi midis 25 shtatorit dhe 4 tetorit kishin për qëllim kryerjen e stërvitjeve taktike bërthamore për të vlerësuar “aftësinë për kundërsulm bërthamor”.

Pheniani testoi më 12 tetor dy raketa me rreze të gjatë të afta për të mbajtur armë bërthamore dhe tha se lëshimet ishin për të kontrolluar “operimin e armëve bërthamore taktike”, sipas një raporti të publikuar të nesërmen nga gazeta zyrtare e lajmeve, KCNA.

Olli Heinonen, ish-zëvendësdrejtor i përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA), i cili tani është studiues në Qendrën “Stimson”, tha se Koreja e Veriut ka të ngjarë të “bëjë disa prova bërthamore për të prodhuar armë taktike të vogla bërthamore”.

Armët bërthamore taktike i referohen raketave me rreze të shkurtër veprimi, të afta për të mbartur mbushje të vogla bërthamore të projektuara për t’u përdorur në fushat e betejës. Raketat taktike përfshijnë raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi që janë afërsisht 1.2 metra të gjera dhe 6.4 metra të gjata dhe mund të udhëtojnë deri në 1 mijë km.

Që mbushjet bërthamore të vendosen në raketa me rreze të shkurtër veprimi, pajisjet duhet të jenë të vogla dhe të lehta.

Përshtatja për tek raketat me vetëdrejtim

Në provën e parashikuar bërthamore, ekspertët thanë se Pheniani mund të testojë edhe mbushje bërthamore më të vogla se ato që mund të montohen në raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Ata thanë se Koreja e Veriut mund të testonte mbushje bërthamore që përshtaten në raketa vetëdrejtuese me rreze të gjatë. Këto janë sa gjysma e diametrit të raketave balistike me rreze të shkurtër veprimi.

Ankit Panda, ekspert i politikave bërthamore në Fondacionin Carnegie për Paqen Ndërkombëtare, tha se Koreja e Veriut ndoshta ka tashmë mbushje bërthamore kompakte të prodhuara që në vitin 2017 që mund të montohen në raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi.

“Kur ata të testojnë këtë pajisje të re [bërthamore], ajo mund të jetë edhe më kompakte, duke i lejuar atyre ta vendosin në raketa me rreze shumë të shkurtër, raketa balistike me rreze të shkurtër veprimi dhe ndoshta edhe në raketat vetëdrejtuese me rreze të gjatë që kanë testuar kohët e fundit”, tha zoti Panda.

Një raketë tipike vetëdrejtuese me rreze të gjatë si raketa amerikane Tomahawk është rreth 0.53 metra e gjerë dhe 5.6 metra e gjatë dhe mund të fluturojë rreth 1600 km.

Udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un duke inspektuar një provë me raketa (10 tetor 2022)
Udhëheqësi koreanoverior Kim Jong Un duke inspektuar një provë me raketa (10 tetor 2022)

Koreja e Veriut lëshoi dy raketa me rreze të gjatë më 12 tetor, që fluturuan për 2000 km, sipas KCNA-së. Dy raketat mund të mbulojnë të gjithë rrezen e Gadishullit Korean, i cili është rreth 1200 km i gjatë.

Raketat me vetëdrejtim janë të vështira për t’u zbuluar pasi ato mund të fluturojnë në lartësi të ulëta për të shmangur sistemet e mbrojtjes kundër raketave.

Fuqia shpërthyese

Ekspertët thanë se fuqia shpërthyese e mbushjeve të vogla bërthamore në raketat taktike do të ishte relativisht e ulët.

“Nëse prova është për një armë bërthamore të vogël, të lehtë, të destinuar për dërgim me një raketë me rreze të shkurtër veprimi (d.m.th. një armë bërthamore ‘taktike’), atëherë unë do të prisja që fuqia të ishte relativisht e ulët, ndoshta më pak se 10-20 kilotonë”, tha Gary Samore, i cili shërbeu si koordinator i Shtëpisë së Bardhë për kontrollin e armëve dhe armët e shkatërrimit në masë gjatë administratës së ish-Presidentit Obama.

Secila nga dy bombat bërthamore të hedhura në Hiroshima dhe Nagasaki në vitin 1945 kishte një fuqi shpërthyese prej rreth 15 kilotonësh. Përafërsisht 80 mijë njerëz në Hiroshima dhe 40 mijë në Nagasaki vlerësohet të kenë vdekur menjëherë nga shpërthimi i bombës. Dhjetëra mijëra të tjerë vdiqën nga rrezatimi dhe lëndime të tjera.

Për krahasim, një mbushje më e madhe bërthamore, siç është një pajisje termonukleare, ka rendiment shpërthyes prej të paktën 100 kilotonësh ose 1000 ton TNT. Zoti Samore tha se pajisje të tilla termonukleare janë të destinuara për armë bërthamore strategjike ose mbushje bërthamore më të mëdha në raketa me rreze të gjatë.

“Mbushjet për raketat taktike dhe me rreze të mesme mund të jenë në rrezen e fuqisë së bombave në Hiroshima dhe Nagasaki”, tha Frank von Hippel, ish-ndihmës drejtor për Sigurinë Kombëtare në Zyrën e Politikës së Shkencës dhe Teknologjisë në Shtëpinë e Bardhë dhe bashkëthemelues i Programit të Universitetit Princeton për Shkencën dhe Sigurinë Globale.

Hans Kristensen, drejtor i Projektit të Informacionit Bërthamor në Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, tha se “testet e mëparshme të Koresë së Veriut kishin rendimente të kufizuara të konsideruara të përshtatshme për armë bërthamore taktike (deri në 15 kilotonë)”.

Ai shtoi se “nëse prioriteti është zhvillimi i një mbushjeje operative për raketat taktike, ne mund të shohim një provë me një rendiment të ngjashëm me atë që pamë në 2009-2016, ndoshta pak më të fuqishme”. Zoti Kristensen shtoi se vetëm testi i gjashtë bërthamor në vitin 2017 kishte një fuqi shpërthyese shumë të madhe.

Ekspertët thanë se Pheniani do të përdorë plutonium kur të zvogëlojë mbushjet bërthamore, në vend të uraniumit që është më i rëndë.

David Albright, një ish-inspektor bërthamor i OKB-së dhe presidenti aktual i Institutit për Shkencën dhe Sigurinë Ndërkombëtare, tha se ekziston një mundësi që Pheniani të testojë një pajisje termonukleare me dy faza që do të përdorte si plutonium ashtu edhe uranium për të prodhuar një rendiment më të lartë shpërthimi.

Një pajisje e tillë do të përdorej në armët strategjike bërthamore.

Zoti Von Hippel tha se duke patur dhe përdorur armë bërthamore taktike ndaj Koresë së Jugut, Phenianit do t’i mbetej rezervë edhe kapaciteti për kërcënuar Shtetet e Bashkuara me armë bërthamore strategjike.

Zëvendësministri i Jashtëm i Koresë së Jugut, Cho Hyun-dong, tha të martën gjatë takimit me Zëvendës Sekretaren amerikane të Shtetit, Wendy Sherman, se Koreja e Veriut do të përballet me një “përgjigje dërrmuese dhe vendimtare” nëse përdor një armë bërthamore./VOA

 

Fraksion.com