AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Opozita nis protestat për gjendjen në vend

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se opozita do të thërrasë protestë më 12 nëntor.

Në një deklaratë për mediet në selinë PD-së, Berisha u shpreh se PD, Partia e Lirisë dhe forca të tjera opozitare nisin më datën 12 nëntor, atë që e cilësoi “betejën e madhe kundër regjimit të urryer, regjimit të narkoshtetit të parë dhe të vetmit në Europë, të partisë-shtet, regjimit të Edi Ramës”.

Ai tha se shqiptarët do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor.

“Në të katër anët e Shqipërisë po bien sirenat e urrejtjes ndaj monizmit të Edi Ramës. Po bien sirenat e alarmit ndaj gjendjes katastrofale të krijuar nga vjedhjet e fondeve dhe pasurive publike të qytetarëve shqiptarë. Ka pasur dhe ka një interes të jashtëzakonshëm për protestat dhe përballjen me regjimin e partisë-shtet. Unë kam besimin më të madh se të rinjtë, të rejat e Shqipërisë, që ndodhen në vend dhe ata që janë larguar për shkak të pamundësisë së tyre për të përballuar jetën në Shqipëri, burrat dhe gratë e këtij vendi, do bashkohen në protestën më të madhe që ka njohur Shqipëria më 12 nëntor, për t’i dhënë përgjigjen e merituar, Edi Ramës dhe klikës së tij në pushtet”, tha ai.

Po ashtu, Berisha tha se Rama nuk meriton të qëndrojë në pushtet asnjë ditë.

“Ky është një armik i egër i votës së lirë, ky është një plaçkitës i paskrupullt përmes shtetit elektoral, patronazhistëve të kuq dhe bandave kriminale e parave të drogës. Ky është një armik i egër i interesit të shqiptarëve. Se cili është Edi Rama e ka marrë vesh çdo shqiptar në Shqipëri dhe jashtë. Deklaratat e tij se do zëvendësojë punëtorët shqiptarë me punëtorë të marrë nga Bangladeshi, në të vërtetë trafik i turpshëm i qenieve njerëzore, deklaratat e tij se nuk do lejojë në universitete nxënësit me nota të ulëta, se do marrë jashtë studentë, deklaratat e tij se ikin, por fajin e ka Gjermania, janë dëshmi e zbatimit nga ana e tij të politikës së Vaso Çubrilloviçit. Nga viti 2014 deri më sot, janë larguar nga Shqipëria 27 për qind e materies shqiptare. Nuk ka luftë civile që në një hark kohor të tillë të shkurtër, të ketë larguar nga vendi 27 për qind të kombit apo shoqërisë”, tha Berisha.

 

Fraksion.com

Social Media Auto Publish Powered By : XYZScripts.com