AktualitetPolitikëTë fundit

Vdekja e Kurtit, Rrumbullaku-deputetëve: Do paraqitem brenda 48 orëve të jap shpjegime

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ishte i ftuar sot në një seancë dëgjimore në Komisionin për Sigurinë Kombëtare.

Seanca dëgjimore ishte lidhur me kërkesën e 1/3 së deputetëve mbi sulmin kibernetik ndaj sistemit TIMS në datë 8 shtator 2022, dhe ndërprerjen e sistemeve kompjuterike qeveritare dhe pezullimin e shërbimeve online në muajin korrik 2022.

Në nisje të seancës deputetët e opozitës kërkuan nga Rrumbullaku që të japë shpjegime në lidhje me vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti disa ditë më parë.

Rrumbullaku u shpreh i gatshëm të japë shpjegime në lidhje me këtë ngjarje dhe tha se do të paraqitet brenda 48 orëve.

Rrumbullaku shtoi se do të japë shpjegime edhe për rastin e Klodian Rashës, pasi në kohën kur ndodhi ngjarja, ai ishte në krye të AMP-së.

“Sot unë kam ardhur me një axhendë të përcaktuar nga Komisioni i Sigurisë i kërkuar më parë në kohë. Nuk i jam përgjigjur Komisionit për shkak se kam pasur një angazhim për një shërbim jashtë shtetit, në SHBA”, tha Rrumbullaku.

“Së dyti, për sa kërkohet nga grupi i deputetëve për çështjet që lidhen me ngjarjet e fundit të të ndjerit Kurti, jam i gatshëm të paraqitem brenda 48 orëve dhe të jap shpjegime në lidhje me sa kërkohet nga ana juaj”, u shpreh Rrumbullaku.

“Edhe për çështjen e të ndjerit Rasha, duke qenë në detyrën e drejtorit të AMP-së, jam në gjendje të jap të gjitha shpjegimet e duhura për sa kërkohet. Do t’ju lutesha që jo çdo gjë që mediatikisht shpërndahet për opinionin, nuk do të thotë se janë të vërtetat reale të hetimeve që kryen institucionet e drejtësisë. Ju lutem të na respektoni mundin, djersën, gjakun që punonjësit e Policisë, organizata, jep në shërbim të qytetarëve të Republikës së Shqipërisë”, theksoi Rrumbullaku.

Më tej Komisioni i Sigurisë Kombëtare vijoi seancën dëgjimore me dyer të mbyllura.

 

Fraksion.com