AktualitetTë fundit

U arrestuan për 522 mijë eurot e gjetura në autobus: Gjykata ‘burg’ për shoferin Elidon Çela. ‘Detyrim paraqitjeje’ për dy ndihmësit e tij

Gjykata ka dhënë vendimin për masën e sigurisë për personat e arrestuar në portin e Durrësit, ku u kapën 522 mijë euro në tavanin e një autobusi.

Gjykata caktoi masën “Arrest me burg” për shoferin Elidon Çela dhe “Detyrim paraqitjeje për dy ndihmësit e tij Dritan Kamberin dhe Anold Cankja.

. Çela ka deklaruar se paratë ishin të tijat dhe se i kishte vendosur në autobuz për të shmangur ndonjë grabitje. Ai ka treguar para hetuesve se për këtë sasi parash nuk i ka thënë asnjë personi dhe sipas tij i ka fituar nga të ardhurat e tij dhe të familjes që jetojnë dhe punojnë prej 27 vitesh në Itali. 32-vjeçari ka thënë se paratë do t’i investonte në Shqipëri, pasi kishte blerë dhe fara gruri dhe do të merrte toka me qira për të mbjellë grurë, pasi merret dhe me aktivitet bujqësor në Shqipëri.

Dritan Kamberi dhe Anold Cankja, janë shoferë dhe kishte pak pak kohë që 32-vjeçari i kishte marrë në punë në firmën e tij e cila është e licencuar për transport ndërkombëtar udhëtaresh dhe është i linjës Padova-Lushnjë. Subjekti është “Celagron Buon Aventura’ firma është në administrimin e tij.

Dritan Kamberi dhe Anold Cankja kanë deklaruar se nuk kanë pasur dijeni për shumën e parave të fshehura në autobuz dhe se këtë autobuz pasi kanë mbërritur në Itali e kanë parkuar tek ambientet e shtetasit Elidon Çela për rreth 3 ditë dhe e kanë marrë vetëm në udhëtim si na vajtje ashtu dhe në kthim.

Pasditen e 21 tetorit,u kapën 522 mijë euro të fshehura në një autobus në zonën e kondicionerit. Paratë ishin të futura në qese marketi dhe u zbuluan nga gjurma e zezë e lënë në skaner dhe u arrestua Elidon Çela, 32 vjeç, drejtues dhe pronar i autobusit me targë AB 633 FZ, pjesë e Agjencisë së Transportit ndërkombëtar të pasagjerëve “Buon Aventura” me seli në Lushnje dhe Padova. Bashkë me të, policia arrestoi dhe 2 ndihmës shoferët e tij, Dritan Kamberi, 36 vjeç dhe Anold Cankja, 32 vjeç.

Autobusi që po transportonte 522 mijë euro cash ka hyrë nga porti i Barit në vendin tonë, por rezulton se ka përshkruar një itinerar duke ndaluar në disa qytete të Italisë. Policia kishte marrë informacione në rrugë operative ndaj përveç kontrollit me skaner, agjentët ndërhynë fizikisht në autobus, ku gjetën 6 qese plastike me 522 mijë euro me prerje nga 5 euro deri në 100-dëshe. Aktualisht në kuadër të këtij hetimi janë ngritur akuzat e pastrimit të parave, mosdeklarimit të vlerave monetare në kufi dhe kontrabandës.

 

Fraksion.com