AktualitetTë fundit

Tjetërsim i pronave në bregdet, SPAK dërgon për gjykim ish-kryebashkiakun e Lezhës

Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka dërguar në gjyq 11 shtetas për tjetërsimin e pronave në bregdet dhe përfitimin e tyre në kundërshtim me ligjin.

Mes të akuzuarve është edhe ish-kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj.

SPAK njoftoi sot se ka regjistruar procedimin penal nr.29/7, viti 2019.

Gjatë hetimit janë dokumentuar veprimet e kundra ligjshme të zyrtarëve vendor të Qarkut Lezhë, për tjetërsimin e pronave në bregdet dhe përfitimin e tyre në kundërshtim me ligjin. Veprimtaria e kundraligjshme ka filluar me përcaktimin e parcelës, e cila është me pronësi shtet, gjetjen e personave të interesuar për t’u pajisur me tokë, falsifikimin e dokumenteve të pronësisë që nga origjina e pronës deri tek certifikata e pronësisë. Në këtë veprimtari kriminale, personat përfitues në mënyrë të kundërligjshme të pronave kanë përfshirë edhe persona të tjerë, ndër ta persona të afërt dhe të njohur më ta, duke ja kaluar në mënyrë fiktive pasuritë dhe më pas me qëllim final për t’i kaluar në pronësinë e tyre.

Gjatë hetimit të këtij procedimi penal ka rezultuar se nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara dhe veprimeve të tjera të kundra ligjshme, është përfituar në mënyrë të paligjshme një sipërfaqe prej 66 000 m2 tokë në disa zona bregdetare në Lezhë, me një vlerë prej rreth 13 milion euro. Këto prona kanë rezultuar se janë produkt i veprave penale të përshkruara më sipër. Me vendimin nr.345 datë 28.07.2022 Gjykata së Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur sekuestrimin e këtyre pronave.

Në përfundim të hetimeve Prokuroria e Posaçme ka vendosur marrjen në cilësinë e të pandehurit dhe ka paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë per Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar kërkesën për dërgimin në gjyq të procedimit penal nr.29/7 të vitit 2019, në ngarkim të:

Fran Frrokaj (me detyrë/në kohën e kryerjes së veprës penale, Kryetar i Bashkisë Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Gjok Ndoka (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Kryetar i Këshillit të Qarkut Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sokol Toma (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Drejtor i Zyrës së Urbanistikës Bashkia Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Bledar Cara (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, jurist pranë Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nikolin Shtjefni (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Sokol Vocaj (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, Regjistrues në Zyrën Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Gjovalin Marku (me detyrë, në kohën e kryerjes së veprës penale, nëpunës në Bashkinë Lezhë), i akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Luigj Paloka (me detyrë “topograf” në kohën e kryerjes së veprës penale), i akuzuar për veprën penale “Falsifikimi i dokumenteve”.

Adiona Martini (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, nëpunëse në Bashkinë Lezhë), e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Juxhina Mema (me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale, nëpunëse në Bashkinë Lezhë), e akuzuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Altin Mikaj (përfitues i pronave të tjetërsuara në mënyrë të paligjshme), i akuzuar për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”.

 

Fraksion.com