AktualitetPolitikëTë fundit

Primaret në PD; 5 kandidatë që do votohen nga anëtarësia dhe simpatizantët

Partia Demokratike do të përfshihet në ditët në vijim nën “ethet” e primareve për të nxjerrë kandidatin që do të rivalizojë Erion Veliajn në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Ndonëse zyrtarisht dy palët në PD janë ende në negociata për të dalë me një kandidat të përbashkët, grupimi i Berishës duket i vendosur për të vijuar me procesin e parashikuar në Statut për zgjedhjen e kandidatit përmes Primareve ku do votojnë anëtarët, por edhe simpatizantët e kësaj force politike.

Burime nga selia blu i thanë gazetarit Osman Stafa se do të jenë të paktën pesë kandidatët që do ti nënshtrohen vullnetit të anëtarësisë për të nxjerrë edhe më të votuarin për zgjedhjet e 14 majit.

Kandidati i parë që ka dalë tashmë edhe publikisht përmes intervistave televizive është anëtari i Këshillit Kombëtar, mjeku i njohur Ilir Alimehmeti. i pyetur nga Balkanweb nëse do të jetë kandidat, ai nuk e përjashtoi. “Nuk mund të konfirmoj diçka për të cilën ende nuk është hapur zyrtarisht aplikimi”, tha Alimehmeti.

Një tjetër emër i përfolur është edhe Belind Këlliçi, deputeti dhe ish kryetari i forumit Rinor të PD-së, i cili ishte ndër të parët që u rreshtua në krah të Berishës një vit më parë kur ky i fundit u përjashtua nga grupi parlamentar i PD-së. i pyetur nga Balkanweb nëse e konfirmon kandidimin ai tha se “nuk mund të ta jap këtë konfirmim aktualisht pasi jam në konsulta dhe biseda me të gjithë faktorët në parti”.

Ndonëse nuk është lakuar shumë në media dhe ende nuk është artikuluar si Alimehmeti, Këlliçi është duke punuar ngushtësisht me strukturat e PD-së, ndërkohë që Veliajn e ka akuzuar për aferën e inceneratorëve.

Ndërkohë që deputeti Agron Shehaj, ndonëse është lakuar në qarqet mediatike si kandidat, konfirmoi për Balkanweb se nuk do të jetë pjesë e primareve.

Një tjetër emër i përfolur, që edhe vetë nuk e ka fshehur ambicien për të kandidatuar nga Partia Demokratike në 14 maj në Tiranë, është ish deputeti Gerti Bogdani. Disi i tërhequr publikisht nga jeta partiake, prej kohësh Bogdani ka vënë theksin në rrjetet sociale të problematikave të ndryshme në Tiranë si rrugët me gropa, ajrin e ndotur apo edhe mungesën e pastrimit të qytetetit. Bogdani, ndonëse e lexoi mesazhin, nuk iu përgjigj interesimit nëse do të jetë kandidat.

Përveç emrave të Alimehmetit, Këlliçit dhe Bogdanit, Balkanweb ka mësuar se edhe ish deputeti i PD Fatbardh Kadilli dhe aktori Julian Deda e kanë shprehur dëshirën për të qenë pjesë e primareve me shpresën që do të zgjidhen nga anëtarësia. Kadilli dhe Deda nuk u përgjigjën nëse do të jenë kandidatë.

 

Fraksion.com