AktualitetRajoniTë fundit

Meloni konfirmon vendin e Italisë në Evropë dhe NATO

Kryeministrja e re italiane, Giorgia Meloni, e ka prezantuar të martën programin e saj qeverisës, duke rikonfirmuar mbështetjen e saj për Bashkimin Evropian dhe Ukrainën.

Ajo, po ashtu, është zotuar se do të punojë në rritje ekonomike dhe ka hedhur poshtë fashizmin.

Një muaj pas fitores së partisë së saj në zgjedhje, Meloni e ka shfrytëzuar fjalimin e saj në Parlament për t’i thënë popullit dhe aleatëve se ajo është dorë e qëndrueshme në ekonominë e tretë më të madhe të Eurozonës.

“Italia është plotësisht pjesë e Evropës dhe botës perëndimore”, ka thënë 45-vjeçarja në Parlament, duke shtuar se ky vend do të vazhdojë të jetë “partner i besueshëm në NATO, sa i përket mbështetjes për Ukrainën”.

Meloni, e cila është betuar si kryeministrja e parë grua e Italisë, ditën e shtunë, ka hedhur poshtë lidhjet e mundshme me të kaluarën fashiste të shtetit të saj, duke thënë se “nuk ka ndjerë kurrë simpati apo afërsi me regjimet jodemokratike, përfshirë fashizmin”.

Dyshimet për mundësinë e një Qeverie euroskeptike dhe populliste në Itali – vend anëtar i NATO-s dhe Bashkimit Evropian – kanë rritur shqetësimet në Bruksel, ndonëse liderët e BE-së kanë uruar shpejt fitoren e saj dhe janë zotuar për bashkëpunim.

Qeveria e paraardhësit të saj, Mario Draghit, ka qenë ndër mbështetëset më të fuqishme të BE-së, sa u përket vënies së sanksioneve ndaj Rusisë për luftën e nisur në Ukrainë.

Ndonëse ka qenë në opozitë, Meloni e ka mbështetur qasjen e Draghit për Ukrainën.

Megjithatë, një prej partnerëve të saj në koalicion, ish-kryeministri italian, Sivio Berlusconi, është incizuar javën e kaluar teksa ka mbrojtur mikun e tij të kamotshëm, presidentin rus, Vladimir Putin.

Italia ka qenë tejet e varur nga gazi rus, para luftës, dhe aktualisht është duke u përballur me inflacion dhe fatura të shtrenjta të energjisë, situatë që rrit rrezikun për recesion vitin e ardhshëm.

Meloni ka thënë se do të punojë për të rritur ndihmat për bizneset dhe ekonomitë familjare, teksa përballen me një realitet të tillë, dhe se nuk do të dorëzohet ndaj “shantazhit të Putinit për energji”.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e konsideron luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre./REL

 

Fraksion.com