AktualitetPolitikëTë fundit

Alibeaj: Hapja e dosjeve, detyrim ndaj shoqërisë shqiptare

Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Enkelejd Alibeaj zhvilloi sot një takim me intelektualët në lidhje me ligjin për Dosjet, ku informoi edhe mbi amendamentet e propozuara nga PD.

Sipas tij “çdo qytetar ka të drejtë të kërkojë informacion, nëse nënshkruan se nuk do ta keqpërdorë atë”.

“Miratimi  i ligjit për hapjen e plotë të dosjeve, ka qenë pezull në politikën shqiptare. Grupi parlamentar i PD-së në qershor 2021 nisi punën për analizën e amendamenteve që të jepnin mundësi për hapjen e plotë të dosjeve. Amendamentet e depozituara në Kuvend në korrik kanë 2 elemente thelbësore. Amendamenti i parë i referohet faktit që dosjet të mos jenë më sekret, të kyçura në bodrume të errëta. Koncepti i deklasifikimit. Bëmë edhe një shtesë për ta plotësuar me një amendament të 2, që çdokush ka të drejtë bazuar në ligjin për të drejtën e informimit, të paraqesë një kërkesë tek Autoriteti i Dosjeve”, tha ai.

Alibeaj tha se e vërteta e mbajtur në dosjet e sigurimit të shtetit nuk duhet të serviret e përpunuar nga një dorë, qoftë ajo edhe Autoriteti i Dosjeve.

“Vetë individët duhet të kenë të drejtën që duke marrë kopje të dokumenteve, ta shoh vetë se cila ka qenë e vërteta e atyre dosjeve. Kjo është nevojë domosdoshme dhe krijon procesin e hapjes së dosjeve për gjithkënd dhe në favor të gjithkujt. Amendamenti i miratuar parashikon ndër të tjera edhe disa elementë. Për çështje që kanë lidhje me sigurinë kombëtare nuk hapen si informacione, por ngelen në të njëjtin status juridik si më parë”, tha ai.

Alibeaj theksoi se hapja e dosjeve synon informimin e publikut shqiptar. “E paraqitëm atë amendament si detyrim moral ndaj shoqërisë shqiptare. Ndodhi që edhe nga PS u mbështet ky amendament. Po, ne arritëm të hapim dosjet e sigurimit të shtetit”, tha ai.

 

Fraksion.com