Vrasja e Lear Kurtit, “Shkak dhuna e policisë së patronazhisëve të Ramës”, Meta thirrje Avokatit të Popullit e shoqërisë civile: Koha nuk pret! Bëni transparencë!
Kryetari i Partisë së Lirisë Ilir Meta, në një konferencë për shtyp ka deklaruar se ka qenë policia e patronazhistëve të Ramës ajo që ka shkaktuar vdekjen e 32-vjeçarit Lear Kurti.
Meta i ka bërë thirrje mediave dhe shoqërisë civile të monitorojë hetimin mbi ngjarjen, ndërsa shtoi se koha nuk pret për të parandaluar fatkeqësi të tjera për familjet e shoqërinë shqiptare.
“A janë parë kamerat e zonës për veprimet e personit dhe të patrullës?
Janë tronditëse dëshmitë e shokut të ngushtë, prezent në vendngjarje dhe nënës së tij, të cilat pasqyrojnë më së miri veprimet barbare dhe të dhunshme të policisë së Ramës.
Ishte policia e Ramës që shkaktoi vetëvrasjen e 31-vjecarit Ilvi Meta në paraburgimin e Kavajës.
Ishte policia e Ramës ajo që vrau 27-vjeçarin Enea Ftoi, babain e tre fëmijëve në Komisariatin e Korçës.
Ishin policët e Ramës që i morën jetën vogëlushes Joniada Avdiaj në Himarë.
Është policia e Ramës që dhunon të rinjtë e të rejat në protesta të drejta dhe legjitime, me policë të maskuar me xhupa dhe kapuç të zinj, që sillen si kriminelë dhe që nuk kursejnë as gazetarët me dhunën e tyre.
Kjo situatë kriminale që ka mbështetës dhe frymëzues Edi Ramën ka vetëm një zgjidhje: Largimin e menjëhershëm të Ramës, Ministrit të Brendshëm Çuçi si përgjegjësit kryesorë të krimit shtetëror të përsëritur.
Të procedohet dhe të arrestohet Ard Veliu një dhunues, mashtrues dhe manipulues i disa ngjarjeve shumë të rënda kriminale të policisë së Ramës.
Prokurori të zbardhë ngjarjen jashtë çdo ndërhyrje. Avokati i Popullit të bëjë transparencë për ngjarjen, koha nuk pret për të parandaluar vrasjen e qytetarëve nga policia e patronazhistëve. Koha nuk pret për të ndaluar fatkeqësi të tjera për familjet shqiptare. I bëj thirrje medias e shoqërisë civile të monitorojnë hetimin e të ecim bashkë deri në ndëshkimin e autorëve, policia patronazhiste e Ramës”, tha Meta.
Fraksion.com