Von der Leyen viziton Ballkanin Perëndimor
Bashkimi Evropian ka përsëritur se lidhjet me vendet e Ballkanit Perëndimor i sheh me një rëndësi të veçantë dhe ka ritheksuar gatishmërinë që ato lidhje të forcohen.
Në të njëjtën kohë, BE-ja është shprehur e gatshme të përfshijë edhe vendet e këtij rajoni në disa politika të saj, përfshirë edhe në planet për sigurimin e burimeve të reja të furnizimit me energji elektrike, gaz dhe naftë, në kohën kur BE-ja po ndërmerr masa për të zvogëluar ndikimin nga Rusia.
Për këto, si dhe për temat tjera, pritet të diskutohet në takimet që liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor do të kenë me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila këtë javë do të nisë një turne katër ditësh nëpër gjashtë vendet e këtij rajoni.
Vizitat në vendet e Ballkanit Perëndimor presidentja e Komisionit Evropian, Von der Leyn do t’i nisë në Shkup të mërkurën. Prej atje të enjten do të vizitojë Kosovën, prej nga të njëjtën ditë do të vazhdojë për në Tiranë.
Von der Leyen do ta vazhdojë turneun në Sarajevë më 28 tetor dhe në Beograd. Këtë turne nëpër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor presidentja e Komisionit Evropian do ta përmbyllë me vizitë në Mal të Zi të shtunën, më 29 tetor.
Von der Leyen në rajon do të diskutojë me bashkëbiseduesit e saj edhe për bashkëpunimin rajonal, reformat evropiane, gjetjet e raporteve të fundit të progresit dhe për sfidat e përbashkëta, siç janë edhe menaxhimi i migracionit dhe përballja me rritjen e çmimeve të energjisë dhe ushqimit. Agresioni i Rusisë ndaj Ukrainës dhe pasojat që ka, si për rajonin e Ballkanit, ashtu edhe për tërë Evropën, do të jetë po ashtu një prej temave që pritet të diskutohen.
Në Bruksel thonë se tashmë është evidente se ka ardhur deri tek intensifikimi i kontakteve në nivele më të larta mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe kjo do të vazhdojë. Janë zhvilluar disa takime në nivel të ministrave edhe në kuadër të Procesit të Berlinit, ku merr pjesë edhe BE-ja.
Ndërkaq, në javën e parë të nëntorit pritet të zhvillohet edhe samiti i Procesit të Berlinit. Më pas, më gjashtë dhjetor, pritet të zhvillohet edhe një samit i veçantë i liderëve të BE-së dhe vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka konfirmuar se samiti do të zhvillohet më 6 dhjetor, por në Tiranë e jo në Bruksel apo Pragë.
“Ne do të zhvillojmë samitin e ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor në rajon. Më 6 dhjetor në Tiranë, në Shqipëri, për të rikonfirmuar angazhimin tonë të përforcuar” ka shkruar në rrjetet sociale Michel.
Ai më tej është shprehur se Ballkani Perëndimor është prioritet kyç për Bashkimin Evropian” dhe se BE-ja dhe se këto vende “kanë nevojë për njëra-tjetrën”.
Samiti i fundit i Ballkanit Perëndimor ishte zhvilluar në Bruksel në fund të qershorit të këtij viti kur kryesimin e radhës me BE-në e kishte Franca. Takimi kishte kaluar në një atmosferë jo edhe aq pozitive, sepse ishin dëgjuar shumë kritika drejtuar BE-së për dështime ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në atë kohë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria ishin të bllokuara në procesin e integrimit dhe nuk mund të nisnin negociatat e anëtarësimit. Nuk kishte lëvizje as në procesin e liberalizimit të vizave me Kosovën.
Burimet në Bruksel thonë se ndërkohë kanë ndodhur ndryshime pozitive që japin shpresë se procesi i zgjerimit po hyn në një fazë të re. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria tashmë kanë hapur negociatat e anëtarësimit, që nga Komisioni Evropian është quajtur si “kthesë historike në procesin e zgjerimit”.
Para dy javësh Komisioni Evropian ka rekomanduar me kusht që Bosnje e Hercegovinës t’i jepet statusi i vendit kandidat. Ky vendim, nëse Bosnja e Hercegovina përmbush disa kushte, mund të miratohet edhe në muajin dhjetor.
Edhe procesi i liberalizimit të vizave me Kosovën ka lëvizur nga vendi dhe është zhvilluar diskutimi i parë në grupin punues të Këshillit për vizat. Me përjashtim të Serbisë, të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor i kanë mbështetur sanksionet e BE-së ndaj Rusisë.
Të gjitha këto nga zyrtarët e BE-së në Bruksel shihen si dëshmi se në muajt e fundit ka pasur lëvizje pozitive në raportet e BE-së me Ballkanin Perëndimor dhe kjo do të konfirmohej në një samit të përbashkët në kryeqytetin e Shqipërisë.
Edhe në këtë samit do të marrë pjesë po ashtu presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, dhe përgatitjet për atë takim mund të jenë ndër temat që ajo do t’i diskutojë gjatë qëndrimit të saj këtë javë në vendet e rajonit, shkruan REL.
Fraksion.com