Shqipëria mban zgjedhjet lokale më 14 maj
Presidenti Bajram Begaj dekretoi sot 14 majin si datën kur do të zhvillohen zgjedhjet për pushtetin vendor. Pak javë më parë ai zhvilloi për këtë çështje, konsultime me përfaqësuesit e forcave kryesore politike në vend.
Në njoftimin e shpërndarë nga presidenca, Kreu i shtetit e vlerëson periudhën deri në zgjedhje si “shumë të rëndësishme për përmbylljen me sukses të kësaj sfide demokracie për institucionet, partitë politike dhe gjithë shoqërinë shqiptare” duke theksuar se “është koha për të demonstruar përkushtim dhe bashkëpunim institucional, pjekuri politike dhe përgjegjshmëri qytetare”.
Ndërsa nxit forcat politike që “të shkojnë drejt kësaj date me përulësi dhe respekt ndaj qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë”, presidenti Begaj ka dhe një thirrje për votuesit që “të mos anashkalojnë detyrën qytetare të mirë-informimit mbi alternativat politike dhe ushtrimit të të drejtës së votës, të pandikuar nga interesa, që cënojnë votën dhe vullnetin e lirë”.
Që prej muajit shkurt të këtij viti, parlamenti ka ngritur një Komision të posaçëm për Reformën zgjedhore. Por në 6 muajt e parë të punës, ai zhvilloi vetëm një mbledhje, dhe në shtator kërkoi një shtyrje të afatit dhe me 6 muaj të tjerë. Presidenti Begaj tha sot se “Komisioni i Reformës zgjedhore ka detyrimin të përshpejtojë punën dhe të adresojë në kohë të gjitha çështjet e dala nga rekomandimet e raportit të OSBE/ODIHR-it”.
Fraksion.com