Rishi Sunak emërohet kryeministër i Britanisë
42 vjeçari Rishi Sunak është zgjedhur kryetari i ri i Partisë Konservatore të Britanisë së Madhe dhe kryeminstër i vendit.
Ai u zgjodh pasi ish Ministrja e Tregtisë, Penny Mordaunt nuk arriti të siguronte mbështetjen e nevojshme.
Zoti Sunak do të jetë udhëheqësi i parë me ngjyrë i Britanisë dhe tani përballet me detyrën e madhe të stabilizimit të partisë dhe vendit në një kohë vështirësish ekonomike dhe politike.
Ai do të pasojë kryeministren nga Liz Truss, e cila dha dorëheqjen javën e kaluar, duke qëndruar vetëm 44 ditë në detyrë. Paraardhësi i saj, Boris Johnson nuk mori pjesë në garë duke thënë se “nuk mund të qeveriste efektivisht nëse partia nuk tdo të ishte e bashkuar në Parlament”.
Banorët e Londrës thonë se duan një qeveri të qëndrueshme pas dorëheqjes së zonjës Truss.
“Do të doja një qeveri të qetë të drejtonte vendin pas Brexit-it, pas epidemisë së COVID-19, dhe po përballemi me kërcënimin e shpërbërjes së Mbretërisë së Bashkuar; na duhet dikush që përfaqëson të gjithë Mbretërinë e Bashkuar”, thotë banori i Londrës, Duncan Wood.
“Rishi Sunak ishte ai që ofroi zgjidhje kur ishim në izolim nga Kovidi. Financiarisht ai është i aftë për të drejtuar vendin. Ne duhet ta rregullojmë këtë vend. Nëse shikoni shtypin e huaj jemi bërë një vend për t’u qeshur”, tha Keith Dargue, banor i Londrës.
Në parlamentin britanik janë 357 ligjvënës konservatorë të cilët votojnë për udhëheqësin e tyre dhe kryeministrin e ardhshëm.
Nëse pas këtij votimi asnjëri kandidat nuk tërhiqet, atëherë përzgjedhja do bëhej nga 172,000 anëtarët e partisë në të gjithë vendin.
Fraksion.com