Presidenti kroat refuzon të takojë Nancy Pelosin që ndodhet në Zagreb
Presidenti kroat, Zoran Millanoviq, e ka refuzuar ftesën e Ambasadës amerikane në Kroaci, për të takuar udhëheqësen e Dhomës së Përfaqësuesve në Shtetet e Bashkuara, Nancy Pelosi.
Ajo gjendet në Kroaci për të marrë pjesë në samitin, Platforma Ndërkombëtare e Krimesë.
Duke përmendur që ftesën ia ka bërë Ambasada amerikane në Kroaci, ai ka thënë se thirrja i është bërë “shumë vonë” dhe se do ta kalojë ditën në Makarska, qytezë në Kroaci.
“Nëse do të vinte Sekretari amerikan i Shtetit, me siguri do të qëndroja në Zagreb, mirëpo jo tani, sepse nuk kam arsye”, ka thënë Millanoviq.
Ai po ashtu ka thënë se ftesa amerikane mund të ketë qenë vetëm shenjë mirësjelljeje, dhe se brenda dy javësh republikanët do të fitojnë zgjedhjet në SHBA, dhe se Pelosi nuk do të ketë më pozitën që ka sot.
Ai e ka përsëritur qëndrimin e tij se trajnimi i ushtarëve ukrainas në Kroaci do të përbënte pjesëmarrje në luftë.
“Kroacia nuk ka obligime ndaj Ukrainës. Nëse dikush sulmon Poloninë apo Lituaninë, atëherë ajo është çështje tjetër. Marrëveshja e NATO-s nuk ka shumë detaje. Le të themi, çka nëse Kroacia sulmon Serbinë? Zgjohemi një mëngjes dhe sulmojmë Serbinë. Ky është trillim për arsye sqarimi. E sulmojmë Serbinë dhe shkojmë në luftë. A duhet të na ofrojë NATO-ja ndihmë dhe mbrojtje? Nuk e kam idenë! Ndoshta po, ndoshta jo”, ka thënë ai.
Ai ka përmendur se ekziston një obligim në marrëveshjen e vitit 1949 të NATO-s sa i përket ndihmës.
“Atëbotë, ka qenë (diktatori sovjetik, Joseph) Stalin, dhe në anën tjetër ka qenë demokracia perëndimore. Viti në të cilin Bashkimi Sovjetik ka pasur bombë bërthamore. Tani kanë kaluar 73 vjet. Çdo rregull e ka jetën e vet dhe unë e shoh atë rregull me shumë seriozitet, mirëpo po ashtu ne nuk duhet të përfshihemi në probleme më të mëdha sesa që duhet”, ka thënë Millanoviq.
Samiti Platforma Ndërkombëtare e Krimesë, e organizuar nga Ukraina dhe Kroacia, do të nisë punimet më 25 tetor në Zagreb.
Deri më tani është konfirmuar pjesëmarrja e 42 delegacioneve nga 32 shtete të botës.
Ky samit është organizuar për të diskutuar rreth çështjeve të Krimesë, gadishullit ukrainas të pushtuar nga Rusia më 2014./rel
Fraksion.com