AktualitetPolitikëTë fundit

“Jemi buzë gremine”, Berisha thirrje studentëve: Ikja e juaj është ikja e të ardhmes, shpërbërje kombëtare

Ish-kryeministri Sali Berisha ka zhvilluar ditën e sotme një takim me të rinjtë, fokusi i së cilit ishte protesta e pedagogëve. Berisha u bëri thirrje studentëve që t’i bashkohen grevës së pedagogëve, pasi ata kanë të drejtë që kërkojnë rritje paga, pasi sipas Berishës i kanë pagat më të ulëta krahasuar me rajonin.

Sipas Berishës, studentët kanë një arsye për të dalë në protestë, pasi as ata qeveria nuk i ka mbështetur në këtë kohë krize. Ish-kryeministri tha se në Kosovë, qeveria u ka thënë studentëve 100 euro mbështetje, por këtu nuk u ka dhënë asgjë ndonëse është shtrenjtuar jetesa.

“Pedagogët po luftojnë për të mbrojtur universitetet, për të mbrojtur të ardhmen e vendit. Sindikatat kanë bërë një thirrje dhe fatmirësisht ka një reagim shumë pozitiv. Këtyre sindikatave duhet t’u bashkëngjiten studentët në mënyrë të fuqishme. Çfarë keni ju më shumë se sa studentët në Kosovë të cilëve qeveria vetëm për krizën u dha 100 euro në muaj subvencion? Por shumë normale, sepse ti student me ato para që të jep familja sot, e ke biletën 2 herë më shtrenjtë për të lëvizur, e ke qiranë më të lartë, e merr litrin e vajit 3-4 mijë sot. Si të mos kujtohet t’ju ndihmojë ju, por udhëton me avion-taksi 200-300 mijë euro në udhëtim, në një kohë kur kryeministri i Austrisë udhëton me avion të linjave tregtare dhe ministrat në ‘economy class’”, tha Berisha.

Kreu i Partisë Demokratike, tha se situata në universitete është ‘buzë gremine’, ndërsa akuzoi kryeministrin Edi Rama, duke thënë ndër të tjera se protestës së pedagogëve i përgjigjet me arrogancë.

“Ministrja e tij shkon bën 15 rrugë nga 15 mijë euro për mbledhje partie në Peshkopi. Ministrja e tij nuk na shkon dot me makinë, por shkon me helikopter. A mund të pranoni ju që një pedagogu juaji të marrë 4 herë më pak se shoferi i fondit shqiptar i zhvillimit, të marrë sa të marrin punonjësit e fasenorisë. Pse do rrinë atëherë këtu, jemi buzë gremine ndaj qëndrimit që qeveria mban ndaj universiteteve. Ndaj ju ftoj të bëni gjithçka për suksesin e kësaj proteste, dhe ju them një këshillë, punoni me çdo të ri e te re që njihni, unë admiroj këtë grevë të tyre sepse është me të vërtetë pluripartiake dhe aty flasin njerëz të përgjegjshëm që duan të shpëtojnë universitete. Cdo ditë i sulmon me mungesë edukate, flet për hiena një njeri me problemi psikike… do merremi ne të gjithë me këtë njeri, se po nuk u morëm, ky nuk ka të ndalur”, tha Berisha.

 

Fraksion.com