Vuçiç: Po shtohet trysnia ndaj Serbisë për çështjen e Kosovës
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha të enjten se nuk beson në një marrëveshje të shpejtë me Kosovën por vendi i tij ndodhet nën trysni për të gjetur një zgjidhje sikurse edhe për t’i vendosur sanksione Moskës për shkak të agresionit në Ukrainë.
Në një intervistë me televizionin serb “Prva”, ai tha se situata në Kosovë është e ndërlikuar dhe fuqitë perëndimore duan zgjidhje.
“Asgjë nuk duhet të hidhet poshtë paraprakisht, por me sa shoh, gjithçka është e vështirë për Serbinë dhe nëse duhet të them qartë në këtë moment – nuk na kanë dhënë asnjë shans”, tha ai, duke iu referuar diskutimeve për nismën franko-gjermane të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara për një marrëveshje Kosovë-Serbi, por pa njohje të ndërsjellë.
Ai tha se Serbisë në shkëmbim i ofrohet ardhmëria evropiane “por çështja është sa do të jetë përulëse për Serbinë zgjidhja e çështjes së Kosovës”.
Të premten ai do të takohet me ambasadorët e vendeve kryesore perëndimore për të diskutuar rreth propozimeve të fundit për një marrëveshje, ndërsa të enjten u takua me të dërguarin amerikan për Ballkanin Perëndimor Gabriel Escobar, i cili një ditë më parë në Prishtinë tha se Shtetet e Bashkuara e mbështesin nismën franko-gjermane, ndërsa nënvizoi se diplomatët evropianë thonë që kjo është çështje javësh.
Tensionet e verës së këtij viti ndërmjet Kosovës dhe Serbisë rreth përdorimit të dokumenteve të identifikimit dhe targave të makinave nxitën një reagim më të ngjeshur diplomatik për të shmangur përplasjet në një periudhë zhvillimesh të ndjeshme politike në Evropë për shkak të agresionit rus në Ukrainë.
Presidenti serb tha se vendi i tij do të bëjë të pamundurën për ruajtjen e paqes. “A njihni ju ndonjë nënë që do të dërgonte të birin në luftë? Unë nuk njoh. Lehtë e kemi ne burrat në kafene që pas 5-6 birrave të flasim”, tha ai, ndërsa akuzoi vendet e NATO-së për siç tha krijimin e një ushtrie serioze të Kosovës në kundërshtim me kartën e Kombeve të Bashkuara dhe Rezolutën 1244.
Serbia një vend kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve perëndimore kundër Rusisë. Presidenti serb tha se nuk do ta bëj një gjë të tillë derisa Serbia nuk përballet me rrezik ekzistencial.
Presidenti serb tha se integrimet evropiane janë interes i Serbisë, por kjo rrugë kushtëzohet me normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, pavarësinë e së cilës Beogradi vazhdon ta kundërshtojë./voa
Fraksion.com